Dhjetë vetura elektrike Tesla Model Y u shkatërruan nga një zjarr në distriktin Fechenheim të Frankfurtit, Gjermani.
Ky incident vjen pasi pesë vetura Tesla u dëmtuan në fillim të kësaj jave. Dyshohet se është zjarrvënie e qëllimshme nga një grup anonim që e konsideron Teslan “armiken më të madhe”.
“Zjarrfikësit e Frankfurtit morën një njoftim për një zjarr në një parking në rrugën Waechesterbacher në orën 03:20 të mëngjesit të së enjtes, dhe në momentin kur mbërritën, zjarri ishte përhapur në disa vetura. Në vendngjarje kanë mbërritur pesë zjarrfikëse, ndërsa hekurudha aty pranë është mbyllur për një periudhë prej 30 minutash. Rreth orës 04:30 zjarri është shuar, por një pjesë e zjarrfikësve kanë monitoruar situatën për shkak të rrezikut të ndezjes së baterive. Raporti i zjarrfikësve nuk tha nëse bateritë ishin përfshirë në zjarr”, thuhet në njoftim.
Pak më vonë në të njëjtën ditë, një letër me titullin “Teslas flambe” u shfaq në platformën Indymedia, në të cilën grupi mori përgjegjësinë për zjarrin, duke përmendur Teslan si “armiken më të madhe”. Grupi konsideron se kompanitë e veturave i kanë fajet për vërshimet e shumta që po ndodhin në vende të ndryshme të botës.
Por nuk është veç Tesla viktimë. Në të njëjtën platformë [Indymedia] që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e konsideron median kryesore për skenën ekstremiste të majtë gjermane, grupi publikoi një letër tjetër në të cilën merrte përgjegjësinë për shpimin e gomave të 51 Poscheve të parkuara në Berlin në shenjë proteste kundër prodhuesit gjerman.
Policia vlerëson se zjarri ka shkaktuar dëme prej 500 mijë eurosh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.