Auto

Hyundai e LGES me fabrikë baterish 4.3 miliardë dollarëshe në SHBA

Prodhuesi jug-korean i automjeteve, Hyundai, dhe kompania e prodhimit të baterive, LG Energy Solution, kanë njoftuar se do ta ndërtojnë një fabrikë të baterive të automjeteve elektrike prej 4.3 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara për të përfituar nga kreditë tatimore, raportoi të dielën Reuters.

Prodhuesit duhet t’u përmbahen kërkesave të reja të ndihmave amerikane për komponentët e baterive EV në mënyrë që blerësit e automjeteve të tyre të mund të kualifikohen për deri në 7.500 dollarë kreditime tatimore sipas Aktit të Reduktimit të Inflacionit (IRA).

Automjetet nga Hyundai dhe Kia aktualisht nuk kualifikohen.

Hyundai dhe LGES kanë thënë se ndërtimi i fabrikës në shtetin e Gjeorgjisë do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2023, ndërsa prodhimi i baterive do të fillojë në fund të vitit 2025.

Kjo fabërikë do të ketë një kapacitet prodhimi vjetor prej 30 gigavat-orë (GWh), i mjaftueshëm për 300,000 automjete elektrike.

LGES furnizon prodhuesit e automjeteve, përfshirë Teslan dhe General Motors.

"Dy liderë të fortë në industrinë e automjeteve dhe baterive kanë bashkuar forcat dhe së bashku ne jemi gati të drejtojmë tranzicionin e automjeteve elektrike në Amerikë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i LGES-it, Youngsoo Kwon.