Prodhuesi japonez i automjeteve, Nissan, po zhvillon plane të rritjes në fusha si softueri dhe automjetet elektrike të pavarura nga prodhuesi francez Renault, teksa të dyja kompanitë e automjeteve janë duke punuar për të finalizuar kushtet e një aleance të kufizuar, raportoi të dielën Reuters.
Prodhuesi i tretë më i madh i automjeteve në Japoni për nga shitjet po kërkon partner jashtë industrisë së automobilave për të zhvilluar softuer që lidh automjetet me shërbimet e bazuara në cloud, kanë njoftuar dy persona të përfshirë në diskutime, pa dhënë detaje mbi kandidatët.
Kjo kompani gjithashtu po punon për një strategji të zgjeruar për veturave elektrike me bateri dhe plug-in për tregjet e Amerikës së Veriut dhe Azisë.
Zbulimet vijnë pasi bordi mbikëqyrës i aleancës u mblodh këtë javë për të diskutuar një ribalancim që do të bëjë që Renaulti të reduktojë aksionet e saj në Nissan në 15 për qind nga 43 për qind - që përputhet me madhësinë e aksioneve të Nissanit në Renault - dhe Nissan të fitojë të drejta reciproke votimi.
Në një deklaratë të përbashkët për Reuters, Nissan dhe Renault thanë se po punonin drejt kushteve përfundimtare të partneritetit që do t'i bënin ata më konkurrues. Kompanitë thanë se planifikonin të detajonin projektet bashkëpunuese të shpallura tashmë për Indinë dhe Amerikën Latine.
Në bisedimet e ribalancimit, Nissan ka kërkuar mbrojtjen e teknologjisë së saj për të kufizuar çdo dobësi nga partneriteti i vazhdueshëm.
© KOHA.