Me përmendjen e Qipros, gjëja e parë që të shkon ndërmend është turizmi dhe deri më tani nuk është përmendur industria e veturave. Por mesa duket kjo do të ndryshojë.
Në Qipro, më saktësisht në pjesën turke të ishullit, u shfaq prodhuesi i makinave Gunsel, i cili ka prezantuar fotot e para të modelit B9, shkruan Revijahak.
Vetura e vogël 1.4 tonë fuqizohet nga një motor elektrik 140 kW/188 hp. Shpejtësinë deri në 100 km/h e mbërrin për 7.7 sekonda, me një shpejtësi maksimale të kufizuar prej 150 km/h.
Bateria litium-jon prej 52.6 kWh mundëson një distancë deri në 350 kilometra. Përmendet gjithashtu karikimi deri në 80 për qind të kapacitetit të baterisë në 30 minuta.
Gunsel bëri të ditur se prodhimi serial do të nisë në fund të vitit, por për momentin nuk ka asnjë informacion për çmimet apo disponueshmërinë.
