Auto

BE-ja dhe Gjermania vazhdojnë bisedimet për ndalimin e veturave me motorë me djegie

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar se bisedimet me Bashkimin Evropian në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje mbi planet për të ndaluar veturat e reja me motor me djegie në Bllok nga viti 2035, ishin konstruktive, raportoi të hënën “Automotive”.

Pas disa përpjekjeve të dështuara javën e kaluar, Scholz është takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në veri të Berlinit të dielën.

Ministri gjerman i Transportit, Volker Wissing, ka thënë se ishte optimist se marrëveshja mund të zgjidhet, por shtoi se një vendim nuk duhet të merret në ditët në vijim.

"Jemi në rrugën e duhur", tha Wissing të hënën.

Gjermania ka ushtruar presion mbi Komisionin, krahun ekzekutiv të BE-së, për të dalë me një propozim që do të lejonte veturat me djegie që funksionojnë ekskluzivisht me karburant elektronik të vazhdojnë të shiten pas datës së ndërprerjes.

Një votim përfundimtar për këtë çështje do të bëhej më 7 mars, por u vonua nga frika se Gjermania mund të abstenonte.

“Jemi në një dialog konstruktiv. Ne japim mbështetje të plotë për hapjen teknologjike, por ajo duhet të jetë në përputhje me qëllimin tonë për ndryshimin e klimës”, ka thënë Von der Leyen para gazetarëve pas takimit.

Dekarbonizimi i transportit shihet si një shtyllë kryesore e qëllimit të BE-së për të ulur emetimet me 55 për qind këtë dekadë në rrugën drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.