Auto

Volkswageni premton ofensivë cilësore për muajt në vijim

Shefi i sapoemëruar i Grupit Volkswagen, Oliver Blume, mbajti një fjalim gjatë mbledhjes së përgjithshme për vitin 2022. 54-vjeçar foli edhe për mënyrën sesi prodhuesi i veturave po përgatitet për të ardhmen.

Një strategji i referohet zbatimit të "gjuhëve të qarta të dizajnit" që duhet të dallojnë më mirë markat nga njëra-tjetra, shkruan Autoblog.

Në të njëjtën kohë, VW Group po premton një "ofensivë cilësore" në dritën e kritikave që veturat si Golf dhe ID.3 nuk kanë marrë hovin e duhur. Tashmë është paralajmëruar heqja e butonave të ndjeshëm në timon. Duke folur për Golfin, Blume konfirmoi se marka do të “jetojë” në epokën elektrike, së bashku me Tiguanin.

Muajin e kaluar, drejtori i VW-së, Thomas Schaefer, ka thënë se Golfi do ta ketë edhen gjeneratën e nëntë. Ai la të kuptohet se do të jetë një model elektrik i vendosur nën ID.3. Mund të mbajë emrin "ID. Golf".

Ndërkohë, Golf Mk8 do të ketë disa ndryshime në mes të vitit 2023, kur VW-ja gjithashtu pritet të prezantojë gjeneratën e ardhshme Tiguan. VW-ja tashmë është angazhuar të prodhojë vetëm automjete elektrike në Evropë nga viti 2033.

Nga ana tjetër, e ardhmja nuk duket aq e ndritshme për Polon më të vogël. Schaefer ka thënë së fundmi se rregulloret e ardhshme të Euro 7 do t'i bëjnë veturat nënkompakte shumë të shtrenjta, deri në 5 mijë euro më shumë sesa kushton tani. Kostot shtesë do të rezultojnë nga sistemet më komplekse të sigurisë që do të bëhen të detyrueshme në BE.