Rënia e tregut të veturave në Rusi vazhdoi edhe në nëntor, ku shitjet e automjeteve ranë me 61.6% nga viti në vit, njoftoi Shoqata e Ndërmarrjeve Evropiane (AEB), shkruan Reuters.
Shitjet kanë rënë që kur Moska filloi luftën në Ukrainë në shkurt, pasi Perëndimi vendosi sanksione që ndërprenë qasjen në pjesët e automjeteve për kompanitë ruse dhe pasi disa prodhues të huaj u larguan nga vendi ose pezulluan operacionet atje.
Sipas njoftimit të AEB, 46.403 automjete janë shitur në Rusi në nëntor, krahasuar me më shumë se 120 mijë njësi të shitura në të njëjtin muaj të vitit 2021, dhe që nga fillimi i vitit, shitjet kanë rënë me 60.9 për qind.
Ndërsa sanksionet pengojnë aftësinë e Rusisë për të mbajtur në punë industritë jetike, Moska i ka dërguar Indisë një listë të mundshme të furnizimit me më shumë se 500 produkte, duke përfshirë pjesë për vetura, aeroplanë dhe trena.
Analistët thonë se kërkesa e kufizuar në ekonomi, për shkak të rënies së standardit të jetesës dhe rritjes së inflacionit, i ka dhënë edhe një goditje sektorit.
Muajin e kaluar, Rusia filloi prodhimin e një modeli inovativ të Moskvichit, markës së veturave të epokës sovjetike, në një fabrikë afër Moskës, e cila u braktis nga Renaulti.
Për prodhimin e Moskvichit të ri, i cili bazohet në dizajnin, inxhinierinë dhe platformën e kompanisë kineze të veturave JAC, pjesët furnizohen nga Kina.