Auto

Nëse jeni me grip, nuk duhet të vozisni veturën

Descriptive Text

Kur jeni të ftohur ose keni grip, lodhja, mungesa e përqendrimit dhe perceptimi jo i duhur kufizojnë aftësinë për të drejtuar veturën. Edhe simptomat e hershme mund të jenë të rrezikshme, pra simptomat e ftohjes shkaktojnë reagime që mund të kenë efekt negativ në trafik.

Për shembull, kur sytë ju lotojnë, ju mbyllni sytë instinktivisht për rreth një sekondë. Kjo do të thotë që jeni “të verbër” duke vozitur përafërsisht 14 metra me 50 km/h ose 30 metra me 100 km/h.

Sigurisht, askush nuk do ta shmangë drejtimin e veturës nëse ka ftohje të vogël, por duhet pasur kujdes të shtuar.

Një problem tjetër janë barnat. Sidomos ato të kombinuara, të cilat veprojnë në të gjitha simptomat e ftohjes dhe që përmbajnë përbërës aktivë.

Efedrina, kodeina dhe kafeina ju stimulojnë në fillim, por kur efekti kalon, përqendrimi në drejtimin e veturës bie në mënyrë dramatike dhe koha e reagimit mund të rritet.

Bordi Këshillimor Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve (BFU), transmeton Blick, në një deklaratë ka thënë se 150 persona janë lënduar rëndë ose kanë vdekur në aksidente që lidhen me konsumimin e barnave. Ilaçet e gripit janë vetëm një pjesë e vogël e rreth 3500 barnave të disponueshme në Zvicër që kufizojnë aftësinë për të drejtuar veturën.

Këshilla e përgjithshme është që t’i lexoni udhëzimet për ilaçet përpara se të vozitni ose të pyesni mjekun nëse ajo që po merrni ndikon negativisht në sjelljen pas timonit dhe në shenjat e para të efekteve anësore duhet të parkoni menjëherë veturën.

Nëse keni grip, është më mirë të përmbaheni nga ngasja e veturës. Së bashku me gripin vjen edhe lodhja dhe dobësia, dhe kushte të tilla nuk janë aspak të mira për ngasje.