Kompania e veturave me qira Sixt njoftoi se planifikon të blejë 100 mijë automjete elektrike nga prodhuesi kinez i veturave BYD deri në vitin 2028. Bashkëpunimi mes dy kompanive fillon me porosinë e mijëra veturave elektrike, dhe dërgesat e para priten në Evropë në tremujorin e katërt të këtij viti, shkruan AutoExpress.
Kjo është hera e parë që kompania e veturave me qira ofron automjete BYD në Evropë, duke filluar me klientët e saj në Gjermani, Francë, Holandë dhe Britaninë e Madhe.
Ndër automjetet do të jetë BYD Atto 3, një SUV kompakt elektrik që shitet me emrin BYD Yuan Plus EV në tregun vendas, kinez.
Sixt ka deklaruar se veturat e tyre do të jenë 70-90 për qind të elektrizuara deri në vitin 2030, ndërsa stacionet dhe degët e saj do të jenë neutrale ndaj karbonit deri në fund të 2023. Kompania po zhvillon gjithashtu infrastrukturën e saj të karikimit.
Modelet BYD EV do të ndihmojnë Sixt të reduktojë emetimet e CO2, duke ndjekur shembullin e kompanive të tjera të marrjes me qira si Hertz.
BYD pretendon të jetë "prodhuesi më i madh në botë i automjeteve me energji të re", një term që përfshin BEV (EV-të me bateri) dhe PHEV (hibride plug-in).