Auto

Stellantis kalon Teslan për shitjen e veturave elektrike në Evropë

Stellantis e përfundoi gjysmën e parë të vitit 2022 në vendin e dytë për sa i përket shitjeve të veturave elektrike në Evropë, duke tejkaluar Teslan dhe duke mbetur pas Volkswagenit.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Stellantis shiti 105.413 vetura elektrike, duke kaluar bindshëm Teslan, e cila shiti 78.277. Grupi Volkswagen është ende në vendin e parë me 116.307 automjete të shitura. Problemi për Teslan ishin bllokimet në Kinë që ndikuan në prodhimin në këtë vend.

“Ne po luftojmë për vendin e parë në tregun evropian”, ka thënë drejtori i Stellantis, Carlos Tavares për Automotive News.

Shitjet e Stellantis Group udhëhiqen nga vetura elektrike FIAT 500, e cila ishte vetura elektrike më e shitur në Itali dhe Gjermani në tremujorin e dytë të vitit 2022. Në gjysmën e parë të vitit, Stellantis shiti 32.315 vetura të vogla, që është një rritje prej 72 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Një model i rëndësishëm ishte Peugeot e-208, i cili u shit në 21.918 kopje, pra 11 për qind më shumë se në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Hatchback ishte modeli elektrik më i shitur në Francë dhe modeli i tij simotër, Opel Corsa, shiti 13.380 njësi.

Shitjet tremujore të Teslas ranë në nivelin e tyre më të ulët në dy vjet, por kjo ishte kryesisht për shkak të mbylljes së fabrikave dhe jo një rënie në interesin e klientëve. Pavarësisht të gjitha sfidave, Model Y mbeti vetura elektrike më e shitur në Evropë, me 39.969 njësi të shitura në gjysmën e parë të vitit 2022. Pas tij qëndron Model 3 me 38.280, duke shënuar një rënie prej 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, shumica e kufizimeve në Kinë janë hequr, kështu që shitjet e veturave Tesla pritet të rriten në gjysmën e dytë të këtij viti.

Stellantis ka pasur shitje më të mira në tremujorin e dytë të vitit në krahasim me të parin, çka do të thotë se po rritet edhe dëshira për të marrë fronin në Evropë.