Shefi i Toyotas, Akio Toyoda, ka bërë presion te qeveria japoneze për ta bërë të qartë se mbështet automjetet hibride po aq sa bateritë elektrike, ose do të përballet me mospërkrahje të industrisë së automobilave, ka raportuar të shtunën Reuters.
Presioni i presidentit të Toyotas, i cili është edhe kryetar i grupit të industrisë së Shoqatës së Prodhusve të Automobilave në Japoni, ndodhi pasi prodhuesi i automjeteve është përballur me një kontroll të shtuar nga investitorët e gjelbër.
Akira Amari, ish-ministër i industrisë ka kërkuar ndryshime në udhërrëfyesin vjetor të politikës ekonomike të qeverisë në një takim të 3 qershorit, duke thënë se ai ka folur me Toyoda një ditë më parë. Versioni përfundimtar i dokumentit përfshinte një referencë për automjetet elektrike dhe dukej se i vendoste hibridet me djegie fosile në pozitë të barabartë me automjetet me bateri me emetim zero, edhe pse ambientalistët thonë se ka një ndryshim të madh.
"Unë fola me kryetarin Toyoda dje dhe ai tha se JAMA nuk mund të mbështesë një qeveri që refuzon hibridet”, ka thënë Amari. "Nëse nuk e bëjmë të qartë, JAMA do të tërhiqet me të gjitha forcat e saj", ka shtuar ai.
Sipas tij, Toyoda përpiqet të thotë se hibridet që funksionojnë me lëndë djegëse sintetike janë të mira për mjedisin sepse janë efikase në karburant.