Auto

Aksidentet me vetura elektrike në SHBA - Tesla prin

Prodhuesit e veturave kanë raportuar për rreth 400 aksidente të veturave me sistem pjesërisht të automatizuar të drejtimit brenda më pak se një viti, 273 prej të cilave janë të markës Tesla, sipas statistikave të publikuara të mërkurën nga Rregullatori i Sigurisë i SHBA-së.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) paralajmëroi kundër përdorimit të numrave për t’i krahasuar prodhuesit e automjeteve, raportoi Associated Press të mërkurën.

Prodhuesit e automjeteve raportuan përplasje nga korriku i vitit 2021 deri më 15 maj 2022, sipas një urdhri nga agjencia, e cila po shqyrton aksidente të tilla gjerësisht për herë të parë.

“Ndërsa mbledhim më shumë të dhëna, NHTSA-ja do të jetë në gjendje të identifikojë më mirë çdo rrezik apo tendencë në zhvillim dhe të mësojë më shumë se si këto teknologji po performojnë në botën reale”, tha Steven Cliff, administratori i agjencisë.

Përplasjet e Teslas ndodhën ndërkohë që automjetet përdornin sistemin Autopilot, "Full Self-Driving", “Traffic Aëare Cruise Control”, ose sisteme të tjera ndihmëse të shoferit që kanë njëfarë kontrolli mbi shpejtësinë dhe drejtimin. Kompania ka në rrugë rreth 830,000 automjete me sisteme të tilla.

Pas Teslas, me më së shumti aksidente të raportuara ishte Honda, me 90 sosh. Mirëpo Honda ka thënë se ka rreth gjashtë milionë vetura në rrugët e SHBA-së të cilat kanë sisteme të tilla. Firma Subaru ishte pas Hondas, me 10 përplasje, derisa kompanitë e tjera raportuan pesë ose më pak raste.

Në një urdhër të qershorit të vitit 2021, NHTSA-ja u tha më shumë se 100 prodhuesve të automjeteve dhe kompanive të teknologjisë së automjeteve të automatizuara, që t’i raportojnë përplasjet serioze brenda një dite pasi të mësojnë për to dhe të zbulojnë përplasjet më pak serioze deri në ditën e 15-të të muajit pasardhës. Agjencia po vlerëson se si funksionojnë sistemet dhe nëse mund të nevojiten rregullore të reja për to.

Numri i përplasjeve të Teslas mund të jetë i lartë sepse përdor telematikën për të monitoruar automjetet e saj dhe për të marrë raporte përplasjesh në kohë reale.

Sipas NHTSA-së, prodhuesit e tjerë të automjeteve nuk e kanë një aftësi të tillë, kështu që raportet e tyre mund të vijnë më ngadalë ose përplasjet mund të mos raportohen fare.