Kompania zvicerane Picasso Automotive ka përmbushur premtimin e saj dhe ka prezantuar modelin e saj të parë të prodhimit.
Është Picasso 660 LMS, një version prodhimi i prototipit PS-01, i cili debutoi në një ngjarje private në Monako dhe tani është i disponueshëm për porosi.

Picasso 660 LMS u projektua dhe u zhvillua "nga e para" nga kompania zvicerane Picasso Automotive në fabrikën e saj në San Vittore. Vetura mori një platformë ultra të lehtë të bërë nga një përzierje e fibrave të karbonit dhe aluminit.
Shasia është gjithashtu e bërë nga fibrat e karbonit dhe trupi është i montuar "pjesë-pjesë". Anët e trupit janë paneli më i gjatë i karbonit i krijuar ndonjëherë për një makinë. Rezultati i këtyre zgjidhjeve është një peshë e makinës prej vetëm 980 kg.

Dëshira e Picassos është që interieri të jetë komod dhe efikas për përdorim të përditshëm, por edhe në pistë. Shumë detaje janë frymëzuar nga veturat e garave, duke përfshirë rripat e sigurimit me gjashtë pika, një kontrollues rrotullues për ABS, kontrollin e tërheqjes si dhe një timon karboni të veshur me “Alcantara”.
Picasso 660 LMS fuqizohet nga një motor V6 3.0-litërsh turbo, i projektuar nga kompania italiane Autotechnica Motori. Motori me gjashtë cilindra është zhvilluar sipas specifikimeve të Picassos dhe zhvillon 660 kuaj fuqi. Kjo është hera e parë që një motor i tillë përdoret për një veturë për përditshmëri. Fuqia e motorit transmetohet në rrotat e pasme.

Vetura ka kaluar shumë kohë në tunelin e ajrit, kështu që është shumë aerodinamike falë formës së trupit, ndarësit të madh përpara, krahut të rregullueshëm të pasmë, dyshemesë së sheshtë dhe difuzorit masiv. Vetura arrin shpejtësi prej 315 km/orë. Picasso zgjodhi rrotat e përparme 19 inç dhe 20 inç të pasme, me goma Pirelli P Zero Trofeo R. Frenimi sigurohet nga frenat Brembo me gjashtë cilindra përpara dhe katër cilindra në pjesën e pasme.

Picasso do të prodhojë vetëm 21 kopje të modelit 660 LMS. Çmimi fillestar do të jetë 820,000 euro. Porositë tashmë janë duke u pranuar dhe dërgesat priten në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. /klix
