Kërkesa e shefit ekzekutiv të Teslas, Elon Musk, që i gjithë stafi i kësaj kompanie të kthehet për punë në zyrë, është kundërshtuar nga sindikata më e madhe e Gjermanisë të enjten, raportoi Reuters.
Sindikata IG Metall që përfaqëson punëtorët e metaleve në Gjermani, ka thënë se do të mbështesë çdo punonjës që kundërshton ultimatumin e Muskut që punëtorët të kthehen në zyrë për të paktën 40 orë në javë ose të largohen nga kompania.
"Kushdo që nuk pajtohet me kërkesa të tilla të njëanshme dhe qëndron kundër tyre, ka mbështetjen e plotë të sindikatave në Gjermani", ka thënë Birgit Dietze, drejtuese e një qarku për IG Metallin në këtë vend.
Në Gjermani, aktualisht nuk ka ligje që parashikojnë të drejtën për të punuar nga shtëpia, por Ministria e Punës në këtë vend, raportohet se po punon për politika që do të rrisin fleksibilitetin për punëtorët.
Tesla aktualisht mban në punë rreth 4000 njerëz në Gjermani dhe planifikon të zgjerojë fuqinë punëtore në 12.000.
Shumë kompani, përfshirë edhe Teslan, gjatë pandemisë kanë lejuar punëtorët të punojnë nga shtëpitë e tyre, por me kalimin e rrezikut të pandemisë, Musk kërkon nga punëtorët që të paraqiten në punë.