Auto

VW-ja shiti të gjitha veturat elektrike të planifikuara për këtë vit

Edhe pse jemi vetëm në fillim të muajit të pestë të vitit 2022, shefi i Volkswagenit, Herbert Dis, zbuloi se kompania praktikisht ka shitur të gjitha automjetet elektrike të planifikuara për këtë vit. Duke folur për Financial Times, kreu i gjigantit gjerman të veturave ka thënë se blerësit amerikanë dhe evropianë që porosisin sot automjete elektrike nuk do të marrin porosinë deri në vitin 2023.

Ky është lajm zhgënjyes për blerësit e mundshëm, por është një shifër inkurajuese për kompaninë duke pasur parasysh kërkesën e lartë për vetura elektrike.

“Interesi është i madh dhe përfshin të gjitha modelet tona, nga ID.3 dhe ID.4 të Volkswagenit e deri te modelet elektrike të Audi-t, të gjitha këto janë pritur jashtëzakonisht mirë në treg, ndërsa modelet elektrike të Skodas janë gjithashtu të kërkuara në Evropë”, shtoi Dis.

Kompania raportohet se ka 300 mijë porosi në Evropë. Këto porosi nuk mund të përmbushen brenda natës, veçanërisht me krizën aktuale të çipave, kështu që klientët e rinj do të duhet të presin një kohë të gjatë.

Volkswageni po përballet me mangësi në Shtetet e Bashkuara për modelin ID.4, i cili aktualisht po importohet nga Evropa. Megjithatë, kjo do të ndryshojë së shpejti pasi një zëdhënës i kompanisë në Amerikë i ka thënë Carscoops se këto vetura do të prodhohen gjithashtu në Chattanooga, SHBA, duke filluar nga kjo verë.

Ndërsa Volkswageni përpiqet të përmbushë kërkesat, kompania ka lansuar model tjetër të ri elektrik, VW ID, që u zbulua në mars.