Auto

Zbulohen fotot e modelit elektrik të BMW-së që pritet të dalë në treg më 2024

BMW-ja është duke punuar në një gjeneratë të re të Serisë 5, e cila do të lansohet më vonë. Ashtu si disa modele të ngjashme, sedani i njohur bavarez do të fitojë edhe versionin elektrik, i cili pritet të quhet i5. Për herë të parë, fotot nga brendësia e veturës së ardhshme elektrike janë vënë në dispozicion, falë spiunimit.

Gjenerata e re e Serisë 5 pritet të quhet G60, si dhe të prezantohet në vitin 2023, ndërkohë që do të dalë në treg në vitin 2024.

Siç mund të shihet nga fotot, BMW i5 (2024) do të largojë butonat fizikë në favor të ekranit me prekje. Zgjedhësi i marsheve do të jetë më i vogël se ai që mund të shohim në modelet aktuale të BMW-së.

Ajo që bie gjithashtu në sy është dizajni i ri i timonit, si dhe tastiera qendrore e modifikuar. Pjesa tjetër e njësive të kontrollit në timon vjen në formën e një platforme të ndjeshme ndaj prekjes.

Dizajni i jashtëm është tipik i veturave bavareze. Ajo që mund të vihet re është stili i ndryshëm i linjës së dritareve të dyerve. Ndryshe janë edhe dorëzat e dyerve.

Besohet se BMW i5 do të ketë të njëjtat specifika si versioni xDrive 40 i BMW iX. Kjo përfshin një konfigurim me dy motorë elektrikë me deri në 300 kuaj fuqi, një bateri me 70 kWh dhe një autonomi të lëvizjes prej mbi 400 kilometrash. /autoblog