Auto

Hakohet Volkswageni, vidhen informatat e 3 milionë klientëve të tij

Brendet luksoze të kompanisë së prodhimit të veturave “VW”, Volkswagen dhe Audi janë goditur nga një hakim në sistemin e të dhënave, duke bërë që të ekspozohen informata të detajuara të konsumatorëve të tyre në SHBA dhe Kanada.

Më shumë se 3 milionë klientëve u janë vjedhur të paktën informata bazike nga një kompani e jashtme e cila punonte me prodhuesin e makinave, njofton VW. Në mesin e të dhënave të vjedhura përfshihen edhe numra telefoni, e-mail adresa, e në disa raste edhe numrat identifikues të veturave.

Kompania ka bërë të ditur se ka arritur deri te 90,000 njerëz në SHBA, kryesisht klientë të markës Audi, të cilëve u janë marrë informata të ndjeshme. Në shumicën e rasteve, atyre u janë marrë numrat e patentës së shoferit ndërkaq në më pak raste u janë vjedhur numrat e sigurimit social, numrat e llogarive bankare dhe datat e lindjes.

Kompania ka bërë të ditur se ka ofruar mbrojtje falas për ata të cilëve u janë vjedhur informata shumë të ndjeshme.

Shkelja përfshin të dhëna të njerëzve që thjesht kishin pyetur për blerjen e një Audie ose të një Volkswageni, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Volkswageni në SHBA. Ndërkohë, këto të dhëna janë vjedhur mes viteve 2014-2019.