Kompania e njohur amerikane, Tesla, vazhdon rrugëtimin për mbizotërimin e tregut dhe tani është duke planifikuar që ofertën e vet ta pasurojë edhe me një Hatchback.
Themeluesi i kësaj kompanie, Elon Musk, ka paralajmëruar model të ri i cili do të jetë versioni i ridizajnuar i Model 3, transmeton KOHA. Po ashtu, modeli i ri do të jetë fillimisht i dedikuar për tregun evropian.
Gjithashtu, modeli i ri do të mund të prodhohet me një Sedan në fabrikën e re që gjendet në Gjermani.
Duke iu drejtuar investitorëve dhe analistëve përmes një konference, Musk tha se kompania e tij “nuk do të ketë sukses në misionin e saj nëse nuk prodhon vetura të përballueshme”. Ai, po ashtu, ka shtuar se automjetet e Teslas nuk janë mjaft të përballueshëm dhe se kjo duhet zgjidhur.
Modelin e ri ndoshta nuk do ta shohim së shpejti, pasi që Tesla pritet të fillojë prodhimin e kamionit Semi, superveturës Roadster dhe pick-upit Cybertruck. Po ashtu, modeli i ri Hatchback thuhet se do të jetë rival i modelit ID.3 të Volkswagenit.
Sipas “Autocar”, fabrika në Gjermani pritet të fillojë prodhimin në muajin korrik të vitit të ardhshëm.