Prodhuesit evropianë të baterive për veturat elektrike janë në nxitim për të nxjerrë përfitime nga avantazhi i pakove masive stimuluese “të gjelbra”, të shpalosura që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, ani pse shumica e prodhuesve e dinë se do të jetë e vështirë të arrihen gjigantët aziatikë që tashmë e dominojnë tregun.
Përderisa “Northvolt”-i i Suedisë, dhe së fundmi “Verkor”-i i Francës po synojnë prodhimin në masë të madhe, prodhuesit e tjerë evropianë janë të fokusuar më shumë në teknologjitë e reja sesa në rivalizimin e prodhuesve kinezë e koreanojugorë me prodhimin në masë të baterive për veturat elektrike.
Nga prodhuesi grek i baterive “Sunlight” e deri të fillestarët “InoBat Auto” në Sllovaki e te “Innolithi” në Zvicër, kompanitë bëjnë të ditur se sfida e ndërtimit të ekonomisë në shkallë të shpejtë për të rivalizuar kreun nënkupton se gjetja e tregjeve të gatshme është rrugë me më shumë shanse për sukses, tani për tani.
“Të qenit gjigantë të baterive në Evropë është e mundshme. Na duhet vetëm të ndjekim dhe të kapim inovacionin më shpejt se të tjerët”, ka thënë shefi ekzekutiv i “Sunlightit”, Lampros Bisalas.
Bateri me fosfatin litium-jon
Fabrika e “Sunlightit” në Greqi është prodhuesja më e madhe në botë e baterive me acid plumbi për veturat automatike dhe sistemet e ruajtjes së energjive dhe tani po kalon në bateritë me litium. Por Bisalas ka vendosur të mos e ndjekë tregun e veturave elektrike, të dominuar nga “Contemporary Amperex Technology” e Kinës, “Panasonic”-u i Japonisë, “LG Chem”, “Samsung”-u dhe ”SK Innovation” të Koresë Jugore.
Ai është i fokusuar në prodhimin e fosfatit litium-jon, një tip i baterive që u përshtatet makinerive të mëdha, lokomotivave e robotëve që performojnë me ndërprerje mes punëve.
“Këto tregje janë miliarda dollarëshe. Shohim shans ideal aty, sepse shohim se prodhuesit e litium-jonit, në veçanti nga Kina, janë të fokusuar në veturat elektrike”, ka thënë Bisalas.
Që nga lansimi i Aleancës Evropiane për Bateritë më 2017, Evropa ka shtyrë kompani lokale që të zhvillojnë një industri që do të përmirësonte të ardhmen me pak karbon e do të siguronte se kontinenti s’do të varej nga produktet e importuara apo teknologjia... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)