Gjatë dy ditëve të kësaj fundjave, në Kullë mbahet gara e parë për e disiplinës malore për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm, ndërsa është e vlefshme edhe për FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit – Zona e Evropës Qendrore), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Bëhet fjalë për garën më atraktive që mbahet në Kosovë, ndërsa kur kësaj i shtohet fakti që pjesëmarrës do të jenë edhe garues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Polonia dhe Hungaria, atëherë është e qartë se do të jetë një “festival” automobilistik”, thuhet në njoftim.
Garuesit dhe zyrtarët e garës që nga mbrëmë janë akomoduar në Pejë, ndërsa paraprakisht është bërë edhe kontrolli teknik i veturave dhe verifikimi i dokumentacionit.
Tutje bëhet e ditur se sot (të shtunën), prej orës 12:00, përkatësisht 14:00 do të mbahen dy vozitjet testuese, ndërsa nesër (e diel) në orën 11:45 është ceremonia zyrtare e hapjes së garës, e cila starton në orën 12:00.
Të kujtojmë se fitues i garës së Kullës në vitin e kaluar ishte Liridon Kalenderi.
Federata e Auto Sportit e Kosovës edhe njëherë ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për shkak se në disa intervale kohore aksi rrugor Pejë- Rozhajë dhe anasjelltas do të jetë i bllokuar për veturat civile, por gjithsesi duke bërë përpjekje që pritjet të jenë sa më të shkurtra.