Për dekada me radhë, Kina ka qenë “tokë e premtuar” për prodhuesit e automobilave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe Japonisë. Tani, shpërthimi i koronavirusit po kërcënon që ta thellojë rënien e tregut, për sa u përket shitjeve, prodhimit në këtë vend, por edhe që ta dëmtojë zinxhirin botëror të pjesëve për automobilat.
Gjigantët, si “Volkswagen”, “Toyota”, “Daimler”, “General Motors”, “Renault”, “Honda” dhe “Hyundai” janë ndër prodhuesit me nam botërorë që kanë investuar shumë në Kinë, duke formuar partneritete me kompanitë lokale, por edhe duke ndërtuar kompani të mëdha atje. Kina prodhon më shumë automobila se secili shtet tjetër në botë dhe është po ashtu tregu më i madh në botën mbarë.
Kur fabrikat e prodhimit të automobilave në Kinë u mbyllën muajin e shkuar me rastin e festës së Vitit të Ri kinez, industria ishte tashmë nën presion të madh: Shitjet kishin rënë për dy vjet radhazi shkaku i humbjes së ndihmave që u fokusuan kah automobilat elektrikë, si dhe për shkak të zhvillimit të ngadalshëm të ekonomisë, teksa zyrtarët po parashikonin një vit të tretë të stagnimit, shkruan sot Koha Ditore.
Shumë nga këto fabrika janë urdhëruar që për shkak të shpërthimit të virusit të qëndrojnë të mbyllura deri në mes të muajit shkurt, pasi që Qeveria në Kinë kishte marrë masa për ta luftuar virusin fillimisht në Wuhan, qytet ky që konsiderohet epiqendër e virusit por që është qendër e madhe e automobilizmit. Masat më pas u zbatuan në gjithë vendin, pasi që virusi infektoi me mijëra persona, ndërsa shkaktoi vdekjen e qindra të tjerëve.
Prodhuesit po mendojnë që të mbajnë edhe më gjatë fabrikat e mbyllura dhe po presin të përballen me rënie të tjera të shitjeve në botë.
Rënie në shitje dhe prodhim
Afro 60 milionë qytetarë po jetojnë në bllokadë të tërësishme në Kinë, me tri qytete që kanë akëcila me dhjetëra e mijëra raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus. Ndërkohë, virusi po vazhdon të shpërndahet me të madhe, duke mbajtur numrat e blerësve potencialë të mbyllur në shtëpi derisa të kalojë virusi.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)