Tesla tejkalon Volkswagenin në vlerë të kompanisë

Tesla tejkalon Volkswagenin në vlerë të kompanisë

23 January 2020 09:21

Prodhuesi i automobilave elektrikë, Tesla, ka kaluar Volkswagenin si prodhues i automobilave me vlerë më të madhe, pasi rritja e jashtëzakonshme e vlerës së aksioneve e çoi kompaninë në vlerë totale prej më shumë se 100 miliardë dollarë.

Aksionet e Teslas janë dyfishuar në vlerë që nga muaji tetor, kur kompania prezantoi të hyrat. Vetëm të mërkurën, aksionet u rritën në vlerë prej 4 për qind, duke u bërë kompania e dytë në botë, pas Toyotas. Megjithatë, kompania e Elon Muskut ka punë për të bërë për të arritur prodhuesin japonez, që ka vlerë në treg prej rreth 230 miliardë dollarësh. Volkswageni pati rënie të vlerës prej 1.19 për qind, dhe aktualisht vlen në 99.6 miliardë dollarë.

Disa analistë kanë thënë se rritja në çmim reflekton performancën e Teslas muajve të fundit, gjatë së cilës periudhë hapi një fabrikë në Shangai dhe arriti cakun e vet të prodhimit, raporton BBC.

Këtë muaj, Tesla ka thënë se ka shitur më shumë se 367500 automobila vitin e shkuar – rreth 50 për qind më shumë se më 2018. Investitorët presin që fabrika e re të ndikojë për të kapur edhe tregun kinez. Pavarësisht rritjes, shitjet e Teslas janë më të pakta se te rivalët. Volkswageni shiti 11 milionë vetura, ndërsa Toyota shiti më shumë se 9 milionë në 11 muajt e parë të 2019-s.

Tesla po përballet me hetime pas ankesave për djegie të baterive e përshpejtim të papritur. Kompania pritet të raportojë për rezultatet e tremujorit të fundit gjatë këtij muaji para investitorëve.

Nëse Tesla mban vlerën e 100 miliardë dollarëve, kjo do të hapte pakon e parë të kompensimit prej 2.6 miliardë dollarësh për Muskun. Planet e tij janë që të marrë pagesa në dhjetë vjet, me të parin kontingjent kur kompania të arrijë vlerën e 100 miliardë dollarëve dhe kur ta mbajë atë për më shumë se një muaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme