Auto

Elektrifikimi, “tërmet” për punëtorët në automobilizëm

Foto: Bloomberg

Viti 2019 po del të jetë një nga më të këqijtë për punëtorët në industrinë e automobilizmit. Kërkesat që po tkurren e ndërrimet e mëdha në teknologjinë e automobilave detyruan së fundmi “Daimler” e “Audi” të shuajnë rreth 20 mijë vende pune.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Bloomberg”, prodhuesit do të eliminojnë më shumë se 80 mijë vende pune gjatë viteve të ardhshme, shkruan sot Koha Ditore. Edhe pse këto janë të përqendruara në Gjermani, Amerikë dhe Britani të Madhe, ekonomitë me rritje të shpejtë nuk kanë qenë imune dhe po shohin prodhuesit që ulin operimet aty.

Kompanitë gjermane iu bashkuan “General Motors”, “Ford” e “Nissan” në lëvizjet masive të bëra vitin e fundit. Industria po lëviz në formë të pazakontë pasi tensionet dhe tarifat ekonomike po rrisin koston dhe po i ngufasin investimet, dhe në të njëjtën kohë prodhuesit po rivlerësojnë forcën e tyre punëtore në epokën e elektrifikimit, ngasjes autonome dhe shërbimeve për ngasje të përbashkët, shkruan “Autonews”.

Industria botërore e automobilizmit do të prodhojë 88.8 milionë automobila dhe kamionë të vegjël sivjet, një rënie prej gati gjashtë për qind në krahasim me një vit më herët, sipas të dhënave nga “IHS Markit”. Kompania gjermane “VDA” ka dhënë një parashikim që rënia do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, duke parashikuar shitje në total të 78.9 milionë automobilave, shifra më e ulët që nga viti 2015.

Shpejtësia e mbylljes së vendeve të punës në shtëpinë e “Mercedes-Benz”, “Porsche” dhe “BMW” pritet të “jetë më e theksuar më 2020”, ka thënë presidenti i “VDA-së”, Bernhard Mattes, në një konferencë në Berlin, duke shtuar se lëvizja teknologjike mund të çojë në humbjen e 70 mijë vendeve të punës gjatë dekadës së ardhshme.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)