Auto

BMW po zhvillon motorin e ri V8 me performancë të lartë

Foto: BMW

Kompania prestigjioze gjermane e veturave, BMW, raportohet se është duke zhvilluar një motor të ri V8, gjë që është befasuese pasi që e tërë autoindustria është duke u elektrizuar.

Megjithatë, kompania bavareze me sa duket ka plane edhe për elektrifikim, duke përfshirë edhe motorët me tetë cilindra.

“BMW Blog” njofton se motori i ri pritet të shfaqet në dy apo tri vjetët e ardhshëm, transmeton Koha.net. Ky motor nuk do të jetë krejt i ri, por një përditësim i motorit aktual S63 të cilin e përdorin shumica e modeleve M, duke përfshirë edhe M5.

Brenda kompanisë, motori i ri quhet S68, dhe ky motor V8 ka një vëllim më të vogël për dallim nga ai aktual, 4.4-litër, gjë që tingëllon arsyeshëm marrë parasysh se tregjet si Kina kanë taksa më të larta për motorët mbi 4-litërsh.

Ka gjasa që motori i ri BMW M V8 të debutojë te modeli M5 CS.