Pasi gjatë këtij viti janë prezantuar modelet elektrike si Seat Mii dhe Skoda Citigo, kompania prestigjioze gjermane, Volkswagen, është duke u përgatitur që në muajin shtator në panairin e veturave që do të mbahet në Frankfurt të Gjermanisë, të promovojë modelin e-Up! për vitin 2020.
Volkswagen e-Up! për 2020 do të ketë motor elektrik me kapacitet prej 61 kW/83 kuajfuqi dhe do të jetë në dispozicion vetëm në version me 5 dyer, transmeton Koha.net.
Gjithashtu, e-Up! i ri me vetëm një mbushje të baterisë litium-jon prej 36.8 kWh do të mund të kalojë deri në 250 kilometra. Po ashtu, me mbushës të shpejtë kjo bateri për rreth një orë mund të mbushet deri në 80 për qind.
{gallery}
Marrë parasysh specifikat e modeleve Mii dhe Citigo, pritet që Volkswagen e-Up! shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për rreth 12.5 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 130 km/h.
e-Up!, po ashtu, është i gjatë 3.6 metra, ka hapësirë për katër pasagjerë, si dhe bagazh me kapacitet prej 250 litra ndërsa nëse largohen ulëset e pasme atëherë kapaciteti i bagazhit do të jetë 923 litra.