Auto

Drag Race 2019, këtë fundjavë në Sllatinë

Descriptive Text

Gara më atraktive në automobilizmin kosovar, Drag Race, e para për këtë vit, do të mbahet gjatë kësaj fundjave në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, njofton kumtesa e Federatës së Auto Sportit të Kosovës.

Bazuar në interesimin për pjesëmarrje dhe traditën tashmë të krijuar, por edhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës, nuk ka asnjë dyshim se do të jetë një fundjavë festive për dashamirët e auto sportit.

FASK, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, i ka marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.

Garë, zhurmë, adrenalinë, muzikë, festë, shpërblime… do të ketë këtë fundjavë në Sllatinë, ndërsa hyrja do të kushtojë vetëm 1 euro, derisa parkingu është falas.

Veç garuesve të shumtë nga Kosova, do të ketë edhe shumë të tillë nga rajoni, ndërsa hijeshinë e garës sigurisht do ta japin mërgimtarët tanë që aktualisht gjenden për pushime në Kosovë.

Si zakonisht, të shtunën nga ora 10:00-11:00 bëhet paraqitja në garë dhe pajisja me numra, pastaj vazhdohet me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik, në mënyrë që në orën 13:00 të nisin vozitjet (dy) kualifikuese.

Të dielën, në orën 10:30 do të mbahet brifingu me garues dhe stafin menaxhues të garës, e cila zyrtarisht pritet të fillojë në orën 11:00.

Gjithashtu, FASK ka përgatitur edhe shumë shpërblime e befasi të cilat do ta bëjnë atmosferën edhe më të mirë.