Auto

Toyota do të ndalojë prodhimin e Prius C

Kompania e njohur japoneze e veturave, Toyota, njofton se do të ndalojë prodhimin e versionit më të vogël të modelit të saj hibrid - Prius C.

Prius C, e cila debutoi shtatë vjet më parë, do të dalë në pension dhe të zëvendësohet nga Hatchbacku i ri, Corolla Hybrid, konfirmoi zëvendëspresidenti i marketingut për Toyota, Ed Laukes.

Ai nuk ka saktësuar se deri kur do të jetë modeli më i vogël në prodhim, por tha se ajo “ndoshta nuk do të jetë për një kohë të gjatë”, dhe se Prius C ka përmbushur qëllimin.

Prius C u prezantua në vitin 2012 si një alternativë më e lirë dhe më e vogël e Priusit standard, popullariteti i të cilit në atë kohë ishte në rritje, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, Prius C ka motor benzinë 1.5-litër me katër cilindra dhe një motor elektrik, me një fuqi të përgjithshme të kombinuar prej 99 kuajfuqish.

Nga ana tjetër, Corolla e re hibride është e pajisur me motor benzinë 1.8-litër dhe një motor elektrik me një fuqi totale prej 122 kuajfuqi.