Janë bërë gati pesë muaj prej kur Prokuroria e Shtetit është duke u menaxhuar nga një ushtrues detyre.
Emri i Blerim Isufajt është propozimi i KPK-së që ka shkuar te presidentja për dekretim. Megjithatë, vetë Osmani të hënën ka dhënë sinjale se zvarritja e procesit do të zgjatë.
Ka rreth një muaj që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të mos i trajtojë ankesat e dy prej kundër kandidatëve të Isufajt, të cilët ishin ankuar për shkelje të procedurave nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
E njëri nga ta pas vendimit të Kushtetueses, e ka paditur KPK-në në departamentin administrativ. Shkalla e parë ka vendosur që padia e tij është e pasafatshme.
Osmani ka dhënë shenja që do t’i presë edhe ankesat e këtij kundërkandidati në të gjitha shkallët e gjykatës para vendimit për dekretin.
“Ndoshta në Gjykatën Themelore ka përfunduar, edhe pse nuk kemi informacion zyrtar, por ka edhe instanca të tjera të gjykatave para se të konsiderohet diçka e përfunduar apo para se të jenë shterur mjetet juridike. Siç jeni njoftuar edhe nga zyra ime, si presidente e vendit duhet t’i respektoj të gjitha instancat para se ta marr vendimin për këtë çështje”, tha Osmani.
Aktualisht, edhe Ligji për Këshillin Prokurorial është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese.
Por sipas Gëzim Shalës, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, asnjë proces gjyqësor nuk është i ndërlidhur me vendimmarrjen e presidentes Osmani dhe dekretimi nuk mund të zvarritet pafundësisht.
“Ka ardhur ndoshta koha që presidentja të marrë vendim në lidhje me propozimin për dekretim për propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në rastin pa marrë parasysh relevancën e vendimeve të caktuara gjyqësore në rastin konkret të vendimit të Kushtetueses, vendimi i presidentes nuk është i ndërlidhur me vendimet kushtetuese, dhe përballë gjetjeve që ky proces ka qenë i kontestuar nga ky proces nuk duhet të dalë emri i kryeprokurorit të ri të shtetit”, tha Shala.
Në prillin e këtij viti, Aleksandër Lumezi e ka përfunduar mandatin si kryeprokuror i shtetit.
Pas tij, KPK-ja e ka përzgjedhur Blerim Isufajn si pasues, por që procesi është shoqëruar nga kritika të shumta nga organizata vendore e ndërkombëtare.