Arbëri

Zvarritja e hetimeve shpëtoi nga ndjekja 13 persona për aferën e “faljes së hidrocentraleve”

“Ngecje” rreth 26 muaj kishte pasur Prokuroria Speciale në hetimin e aferës së njohur si “falja e hidrocentraleve”, ku akuzoheshin 19 zyrtarë, në mesin e tyre 4 ish-ministra.

Për më shumë së dy vjet ky institucion nuk kishte nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve për këtë aferë. Ishin arsyetuar së “janë duke mbledhur informata para se ta nisin zyrtarisht hetimin”.

Neglizhenca e këtij institucioni për nxjerrjen me kohë të vendimit për hetim, para se të skadonte afati, ka shpëtuar 13 persona nga ndjekja penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 mars ka marrë vendim që t’i aprovojë ankesat e një pjese të të akuzuarve kundër aktakuzës.

Për 13 zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria Speciale gjyqtari Valon Kurtaj ka vendosur që t’i pushojë hetimet.

Vepra penale e korrupsionit me kodin e vjetër ka qenë e dënueshme deri në 5 vjet. Aktvendimi për hetimin e këtyre zyrtarëve është zgjeruar duke kaluar në më shumë se 7 vjet.

Sipas Kodit të Procedurës Penale për veprat që dënohen 5 vjet, aktvendimi për fillimin e hetimit duhet të nisë deri në ditën që bëhen 5 vjet nga kryerja e veprës penale.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në ditën kur bëhen 5 vjet, çdo hetim konsiderohet i jashtëligjshëm - pasi që arrihet parashkrimi relativ, siç ka ndodhur edhe në këtë rast.

Gjykimi do të vazhdojë për 6 ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Gjykata përmes këtij vendimi ka konsideruar së janë përmbushur kushtet që të gjykohen për korrupsion ish-ministrat Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe ish-zyrtarët e KEK-ut, Arben Gjuka e Fllanza Hoxha.

Hidrocentralet të cilat dyshohet se i janë falur konserciumit turk janë ai i Radavcit, Lumbardhit, hidrocentrali në Burim dhe ai në Dikancë.

Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12 milionë euro.

Gjyqësori nuk ka shumë kohë që ta përfundojë këtë rast me aktgjykim të formës së prerë.

Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë edhe për të akuzuarit e mbetur rrezikohet që lënda të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut.

Për rrezikun e parashkrimit të një pjese të këtij rasti, siç edhe ka ndodhur, “Koha Ditore” kishte raportuar disa herë, por një mundësi të tillë e pati kundërshtuar Prokuroria Speciale. Një hulumtim i gazetës kishte gjetur se bashkë me Distribucionin dhe Furnizimin, në vitin 2012, ishin privatizuar edhe katër hidrocentrale të vogla.