Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka publikuar një tabelë ku sqarohet rritja e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak, varësisht nga shpenzimet, bazuar në vendimin e fundit për shtrenjtimin e rrymës për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kWh.
Sipas tabelës, për ata që shpenzojnë deri në 800 kWh, faturat mbesin të njëjta, meqenëse edhe tarifat kanë mbetur të pandryshuara.
Për ata që shpenzojnë 900 kWh, nëse deri më tani faturimi ka qenë në vlerë prej 58,5 euro, nga sot, faturimi do të ketë vlerën e 68,6 euro, apo 5,1 euro më shumë.
Për ata që shpenzojnë 1000 kWh, nëse deri më tani kanë paguar 64.2 euro, nga sot do të paguajnë faturë mujore prej 79,4 euro, apo 10,1 euro më shumë.
Për ata që shpenzojnë 1,100 kWh dhe deri tani u ka ardhur fatura në vlerë prej 64,2 euro, nga sot do t’u vijë fatura në vlerë prej 79,4 euro, apo 15,2 euro më shumë.
Ndërkaq, ata që kanë shpenzuar 1,200 kWh dhe kanë paguar 69,9 euro, nga sot do të paguajnë 90,1 euro, apo 20,3 euro më shumë.
ZRRE-ja ka miratuar të martën vendosjen e bllokut tarifor në 800 kWh. Sipas këtij vendimi, ata që konsumojnë më shumë se 800 kWh, do të kenë tarifë të lartë prej 12 cent, ndërkaq tarifë të ulët prej 6 cent.
Ndërkohë, tarifat kanë mbetur të njëjta për ata që shpenzojnë më pak se 800 kWh. Rryma e shpenzuar nga këta konsumatorë do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent.
Sipas vendimit të ri, për bizneset nuk do të ketë bllok-tarifë. Tarifat e reja do të aplikohen nga 9 shkurti, deri më 31 mars të vitit 2023.
Ky vendim i ZRRE-së është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare në Kuvend dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë deklaruar se kostoja e faturës për energji elektrike do të jetë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.