Arbëri

ZRRE-ja s’tregon nëse faturat e energjisë po kalkulohen sipas tarifave të pezulluara

ZRRE

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk ka treguar nëse faturat e reja të energjisë do të kalkulohen ose jo në bazë të tarifave të reja, të pezulluara me vendim të prerë të Gjykatës së Apelit. Ky institucion u është drejtuar gjykatave, me kërkesën për sqarime pas vendimit për pezullim. Por, sipas juristëve, gjykatat nuk japin sqarime dhe instruksione lidhur me vendimet që marrin

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk ka ofruar deri të hënën një zgjidhje lidhur me situatën e krijuar me tarifat e energjisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që vërteton pezullimin e tarifave të reja me çmim më të shtrenjtë sesa ato paraprake.

Javën e shkuar, ky institucion u është drejtuar gjykatave, nga të cilat ka kërkuar udhëzime se si të veprohet tutje.

Por, sipas avokatit të procedurave administrative, Fatos Zeqiri, gjykatat nuk japin sqarime dhe instruksione për zbatim të vendimeve të tyre. Ai thotë se ZRRE-ja dhe KESCO, por edhe akterët e tjerë, duhet të sqarohen mes vete për veprimet e mëtutjeshme.

“Në rastin konkret veprimi në mes të ZRRE-së dhe KESCO-s është veprim që do të duhej të sqarohej mes ZRRE-së dhe KESCO-s dhe jo përmes sqarimeve të gjykatës, pasi që gjykata nuk jep sqarime lidhur me rikthimin e tarifave ose si duhet të procedojë KESCO në raport me ZRRE-në”, ka theksuar Zeqiri.

Në ZRRE nuk kanë treguar nëse kanë opsione se si të dilet nga situata e krijuar pas pezullimit të tarifave.

Javën e kaluar, partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të iniciojnë shkarkimin e bordit të ZRRE-së, shkaku i vendimit për tarifa, por edhe shkaku i “paaftësisë për të ofruar zgjidhje”. Në mungesë të votave në Kuvend, këtë nuk e kanë bërë në seancën plenare të së enjtes.

E avokati Zeqiri thotë se pas pezullimit të tarifave, ZRRE-ja do të duhej që t’i rikthente tarifat e vjetra.

“ZRRE-ja është dashur që të vazhdojë me tarifa të vjetra për shkak se është shtyrë ekzekutimi i vendimit për caktimin e tarifave të reja dhe kjo i bie që ky vendim edhe pse ekziston është inekzistent në raport me krijimin e efekteve ndaj palëve të treta, për shkak se është shtyrë me vendim të Gjykatës deri në vendosje të padisë”, ka thënë Zeqiri.

Edhe pse vendimi është pranuar nga KESCO, ky operator ka bërë të ditur se ka paqartësi se si ta zbatojë atë.

Por, nuk ka treguar nëse janë lëshuar fatura me tarifa të reja, edhe pas marrjes së vendimit nga ZRRE-ja që kërkon shtyrjen e ekzekutimit të këtyre tarifave të energjisë.

KOHA ka raportuar se ditën që kjo ndërmarrje ka pranuar vendimin, qytetarët janë faturuar me tarifat e reja.

Tarifat e miratuara nga ZRRE-ja në shkurt të këtij viti janë cilësuar si diskriminuese edhe në raportin e Avokatit të Popullit. Sipas këtij institucioni, vendimi për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve.

Në KOSTT edhe pse nuk kanë dashur që të komentojnë vendimet e Gjykatës, kanë treguar për vështirësitë pas vendimit të Apelit.

“KOSTT nuk komenton vendimet e Gjykatës, por para disa ditësh KOSTT ka shprehur shqetësimin që nëse kostot e ndodhura në sistem nuk reflektohen në tarifa apo ndonjë mekanizëm tjetër si subvencion atëherë kjo do të rrezikojë sigurinë e operimit të sistemit, dëmton Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet e KOSTT në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Ditë më parë, KOSTT-i i është drejtuar Gjykatës Themelore me ankesë për anulimin e nenit 5 të Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) të Energjisë elektrike. Ky nen ka të bëjë me kompensimin e humbjeve që dalin nga energjia e shfrytëzuar dhe jo e paguar nga konsumatorët e pjesës veriore.

Më 2017, pas një vendimi të Gjykatës Themelore që ndaloi faturimin e shpenzimeve të pjesës veriore në faturat e konsumatorëve të tjerë, KOSTT u caktua nga ZRRE-ja si përgjegjëse për të furnizuar me energji komunat veriore.

Kjo ka krijuar kosto shtesë për KOSTT-in, dhe shkaku i kësaj, ka hyrë edhe në obligime në Rrjetin Evropian të Energjisë, si pasojë e tërheqjes së energjisë nga rrjeti në mënyrë të paautorizuar.

KOSTT-i ka bërë të ditur disa herë për gjendjen e rënduar financiare, për çka në mbledhjen e fundit, Qeveria e Kosovës i ka aprovuar në parim një huamarrje në vlerë prej 26.5 milionë eurosh.

“KOSTT ka adresuar te të gjitha institucionet relevante çështjen e humbjeve të shkaktuara nga energjia elektrike e konsumuar dhe jo e paguar në veri të vendit si dhe ka adresuar çështjen e obligimeve financiare të pashlyera ndaj KOSTT nga ana e palëve të kyçura në sistemin e transmetimit. KOSTT pret veprime nga institucionet relevante për adresimin e këtyre çështjeve”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.

Mjetet e huazuara nga Qeveria pritet të shfrytëzohen për shlyerjen e borxheve të imbalanceve të muajit dhjetor ndaj TSO-ve të Evropës Kontinentale.