Kompania serbe “Elektrosever” të premten është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, për t’i furnizuar me energji elektrike katër komunat veriore me shumicë serbe për pesë vjetët e ardhshëm. Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se çmimet për furnizim do t’i caktojë vetë kompania. Kësisoj, ZRRE-ja nuk do të ketë autoritet në rregullimin e çmimeve, sikur që ka në nivel vendi
Do ta kenë furnizuesin e tyre të energjisë elektrike katër komunat e veriut të Kosovës të banuara kryesisht me serbë. Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku në pesë vjetët e ardhshëm do të furnizohen me rrymë nga kompania serbe “Elektrosever”.
Të premten Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ia ka miratuar kësaj kompanie kërkesën për licencim, për ta furnizuar veriun me energji elektrike. Ndërsa kërkesën tjetër të kësaj kompanie që i ishte drejtuar ZRRE-së për licencim për distribuim, ZRRE-ja e ka refuzuar dhe kësisoj distribuimin do të vazhdojë ta kryejë KEDS-i si operatori i vetëm i licencuar për shpërndarje në të gjithë territorin e Kosovës.
Kjo licencë për “Elektroseverin” ka ndodhur tri ditë pas pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për nënshkrimin e Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të arritura gjatë viteve 2013 e 2015. Në ato marrëveshje ZRrE-ja obligohej t’ia lëshonte licencën e furnizimit “Elektroseverit”.
Pas miratimit të kërkesës për licencë, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka bërë të ditur se nuk do të përcaktohen çmimet për konsumatorët e “Elektroseverit”.
“Kjo licencë ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues”, është shprehur Fejzullahu.
Me këtë licencë qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës nuk mund të furnizohen nga “Elektroseveri”, edhe nëse ajo ofron çmime më të lira, ndërsa ata qytetarë që jetojnë në veri kanë të drejtë që përveç “Elektroseverit” të zgjedhin edhe cilindo operator tjetër të licencuar në Kosovë. Por, në anën tjetër kjo nënkupton që “Elektroseveri” për dallim nga operatorët e tjerë do ta ketë të kufizuar shtrirjen e operimit në territorin e Kosovës.
“‘Elektroseveri’, si çdo furnizues tjetër, ka të drejtë të blejë energji me shumicë në treg ku ai gjen çmime më të favorshme, si në tregun vendor, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar. Shitja me pakicë i lejohet vetëm në këto katër komuna”, ka deklaruar Fejzullahu.
Në ZRRE thanë se me dhënien e kësaj licence pritet fillimi i plotësimit të kushteve të cilat janë paraparë në marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel dhe normalizimi i faturimit dhe arkëtimit të energjisë së konsumuar. Por, se a do të paguhen apo nga kush do të paguhen borxhet e energjisë elektrike në veri për të gjitha vjetët e pasluftës, ZRRE-ja ende nuk ka marrë një vendim.
“Kjo çështje është diskutuar, por deri më tani nuk ka ndonjë vendim konkret se si do të veprohet tutje, por në parim domosdo do të duhej”, ka thënë Fejzullahu.
Megjithëkëtë, Lista Serbe që përfaqëson në institucione qendrore e lokale serbët e Kosovës, ka thënë se marrëveshja e mbërritur në Bruksel nuk ka efekt retroaktiv. Kjo nënkupton që borxhi do t’u shlyhet konsumatorëve të veriut që kurrë nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar.
Sipas Udhërrëfyesit 9-pikësh për implementimin e marrëveshjes për energjinë, brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, “Elektrosever” do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike. Gjithashtu në këtë Udhërrëfyes thuhet se nëse brenda 100 ditëve “Elektrosever” nuk e respekton marrëveshjen, ZRRE-ja mund t’ia marrë licencën.
“Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE-ja mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për ‘Elektrosever’, me kusht që me lehtësimin e BE-së të konsultohet paraprakisht me palët gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse një gjë e tillë kërkohet nga të paktën njëra palë”, thuhet në dokumentin e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë më 21 qershor të këtij viti në Bruksel.
Kërkesën për licencim për furnizim operatori “Elektrosever” e ka dorëzuar në ZRrE qysh në dhjetor të vitit 2020.