Arbëri

ZKA: Sistemet e informacionit të ATK-së të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike

Mangësi në administrimin dhe menaxhimin e detyrimeve tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës ka evidencuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit në këtë institucion, ZKA-ja ka konstatuar se sistemet janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të humbjes së integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe disponueshmërisë së sistemeve, shkruan KOHA.

Këto mangësi, sipas ZKA-së, kanë ndikuar në paraqitjen e një pasqyre jo të saktë dhe jo të plotë të llogarive të deklaratave tatimore, në rreziqe të funksionimit të sistemeve të informacionit, humbje të integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe rreziqe në sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e punës së sistemeve.

Administrimi dhe menaxhimi i detyrimeve tatimore bëhet nëpërmjet sistemeve të informacionit të ndërlidhura siç janë Sistemi Elektronik për Deklarim të Tatimit, Sistemi i Integruar Qeveritar për Administratën Tatimore, si dhe Sistemi për Menaxhimin e Rasteve të Mbledhjes.