Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë më 15 nëntor

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës në një konferencë për media ka paralajmëruar protestë me 15 nëntor.

Kryetari i Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka thënë se u bënë tre muaj që nga protesta e 12 korrikut dhe ende asgjë nuk është ndërmarrë lidhur me kërkesat që i kanë si sindikatë, transmeton Koha Ditore.

“Tani jemi ardhur në një situatë të papërballueshme, pa pajisje personale, shkelje të drejtave të punëtorëve dhe problemet me sigurimet shëndetësore. Lëndimet në vendin e punës zjarrfikësit duhet t'i mbulojnë vetë”, ka thënë Beka.

Ai ka thënë se kanë bërë disa herë apel prej institucioneve të nivelit lokal deri te kryeministri që të analizohet gjendja e zjarrfikësve.

“Kemi ardhur deri te riaktivizmi i protestës me datë 15, shpresoj që do të reflektohen institucionet. Jemi të gatshëm për të sakrifikuar edhe shëndetin për t’i dalë ne ndihmë qytetarëve por nuk jemi të gatshëm të shkelemi nga institucionet qeveritare kur ky shërbim përveç pagës është jashtë përkujdesjes profesionale”, ka theksuar më tej ai.

Ndërsa, nënkryetarja e BSPK-së, Leonira Lokaj ka thënë se zjarrfikësit po përballen me kushte të mjerueshme.

“Rrezikshmëria e zjarrfikësve në punë është shumë e madhe dhe këtyre punëtorëve nuk u paguhen as lëndimet në vendin e punës”, ka thënë Lokaj.

Ajo ka theksuar që do t'i mbështesin zjarrfikësit në çdo hap që të realizohen sa më shpejt qëllimet e tyre/ Drenusha Maxhuni.

Artikuj të ngjashëm