Arbëri

Zhbërja e marrëveshjeve, mision i pamundur

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse do të ketë nismë për shfuqizimin e ndonjërës prej marrëveshjeve të Brukselit, të cilat kryeministri Kurti i quajti të dëmshme të hënën, teksa u ankua se po ia marrin energjinë më të madhe. Por, sipas juristëve, procedura deri në anulimin e marrëveshjes së vitit 2013, prej së cilës derivuan edhe marrëveshjet e tjera, është e pamundur. Sa i përket Marrëveshjes për Asociacionin, është shtruar nevoja që ajo të ridefinohet, pas shkeljeve të konstatuara nga Kushtetuesja

Mision i pamundur po konsiderohet zhbërja e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat kryeministri Kurti tha se po ia marrin energjinë më të madhe.

Në debatin për programin e qeverisës të hënën, shefi i Qeverisë foli edhe për, siç tha, marrëveshjet e dëmshme që i ka trashëguar nga pushtetet e kaluara. Mes tjerash, përmendi Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, si dhe marrëveshjet për gjykatat e universitetin paralel në veri të Mitrovicës.

“Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë sime në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju: Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e universitetin paralel në veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale, e marrëveshje të tjera të dëmshme që ju na i latë trashëgim”.

Por, Qeveria nuk ka treguar nëse do të ketë nismë për shfuqizimin e marrëveshjeve të përmendura nga Kurti.

Në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për ta parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.

“Marrëveshjet e deritanishme do të trajtohen për ta parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre”, shkruan në program.

Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se procedura që kërkohet për anulimin e marrëveshjes së 19 prillit është gati e pamundur të implementohet. Sipas tij, edhe parafimi i marrëveshjes, siç është ajo e vitit 2013, përbën njërën prej pesë mënyrave se si merren obligimet ndërkombëtare dhe se e njëjta vlen edhe për Serbinë, pavarësisht se nuk e ka ratifikuar në Kuvend.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk lidhen me atë nëse palët janë të njohura reciprokisht, por lidhen me atë nëse ato janë shtete në rendin juridik ndërkombëtar dhe sigurisht se Kosova është shtet. Është gabim të thuhet ajo që e ka interpretuar Gjykata Kushtetuese e Serbisë, se marrëveshjet me Kosovën nuk janë ndërkombëtare për shkak se Kosova është territor i Serbisë. Çdokush që thotë se Serbia nuk i ka ratifikuar sepse nuk e njeh Kosovën, në fakt i kryen shërbim shtetit serb. Marrëveshjet ndërkombëtare, sipas kushtetutës sonë dhe sipas kushtetutës së vendeve sovrane kur ratifikohen me ligj, ose kanë fuqinë më të madhe se çdo ligj, ose fuqinë e njëjtë me çdo ligj tjetër nacional. Kosova i takon grupit shumicë dhe kushtetuta jonë thotë se ato marrëveshje që ratifikohen në Kuvend kanë fuqinë më të madhe se çdo ligj”, ka thënë Hasani. Sipas tij, për të dalë nga obligimi ndërkombëtar, duhet ndjekur ligjet ndërkombëtare dhe se kushtetuta jonë e kërkon procedurën e njëjtë, kur është ratifikuar marrëveshja.

“Ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili ka fuqinë e normës kushtetuese, që duhen dy të tretat për ta ndryshuar obligimin ndërkombëtar, pra marrëveshjen e vitit 2013. Duhet ta ndryshojnë kushtetutën njëherë dhe me pastaj mund të kërkohet të dilet prej saj. Kjo faktikisht është e pamundur”, ka potencuar Hasani.

Marrëveshja për Asociacionin, të cilën e përmendi Kurti në Kuvend, është kundërshtuar më së shumti nga Vetëvendosja sa ishte në opozitë. Tani në qeveri nuk kanë treguar se si do të veprohet me të.

Sipas Hasanit, Marrëveshja e vitit 2015 për Asociacionin duhet të ridefinohet, pasi mbi 90 për qind e saj është vënë në dyshim me aktgjykimin e Kushtetueses.

“Asociacioni formohet mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2013, që do të thotë se marrëveshja e vitit 2015 ka qenë akt implementues në vijim, me qëllim të ekzekutimit të marrëveshjes së parë, meqë normat e marrëveshjes së vitit 2013 nuk kanë qenë të vetekzekutueshme. Por, mbi 90 për qind është inekzistente, prandaj duhet të operacionalizohet me një marrëveshje tjetër që është marrëveshje e palëve, por marrëveshja e vitit 2013 nuk mund të anulohet”, ka thënë Hasani.

Neni 18 i Kushtetutës së Kosovës flet për amendamentimin ose tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do ta ketë të njëjtën procedurë të vendimmarrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë pika 4 nga neni 18 i Kushtetutës. Sipas po të njëjtit nen, është Kuvendi i Republikës së Kosovës që me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: (1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; (2) të drejtat dhe liritë themelore; (3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare; (4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës”, thotë pika 4 e këtij neni.

Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare janë të rregulluara edhe me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Pika 2 e nenit 18 të këtij ligji thotë se: “Vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, të referuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat (2/3) e votave pas rekomandimit të presidentit, me iniciativë të tij, ose pas propozimit nga Qeveria”. Ky ligj po ashtu parasheh që një marrëveshje ndërkombëtare mund të ndryshohet ose plotësohet në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të procedurës së përcaktuar në këtë ligj për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, “përveç nëse parashihet ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare”.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë rikujtuar se Kosova nuk mund të tërhiqet nga obligimet ndërkombëtare.

“Kosova ka hyrë në një marrëveshje për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe. Kjo marrëveshje u finalizua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është tërhequr. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat (2/3). Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për ta zbatuar këtë marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 21 prill.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 lidhur me Asociacionin/Bashkësinë zakonisht është keqinterpretuar. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova t’i respektojë angazhimet e ndërmarra në dialog”.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti pati thënë më herët se “mund të ketë Asociacion të Komunave të Bjeshkës së Rugovës apo maleve të Sharrit, por jo asociacion njëetnik”.

Qeveria nuk e ka publikuar ende programin qeverisës, rrjedhimisht as platformën dhe strategjinë e dialogut.

Ndërkaq, opozita e ka sfiduar Kurtin që marrëveshjet të cilat i konsideron të dëmshme t’i anulojë me votë në Kuvendin e Kosovës.