Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zharku tani mund të kthehet lirshëm në Kosovë

Gjykata e Kaçanikut ka nxjerrë vendim që të ndalë ekzekutimin e dënimit me burgim për ish-kryetarin e arratisur të Kaçanikut.

Lajmi është konfirmuar për KTV-në nga zyra për media e Gjykatës.

Sipas vendimit të 11 majit, Xhabir Zharku mund të kthehet lirshëm në Kosovë sepse i është parashkruar dënimi prej 3 vjetësh burgim për detyrim dhe armëmbajtje pa leje.

“Sipas nenit 92 paragrafi 5 të KPK-së, është përcaktuar se dënimi i shqiptuar nuk mund të ekzekutohet pasi të kenë kaluar 3 vjet nga dënimi me mbi 1 vit burgim, ndërsa ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet nga ligji për afatin e parashkrimit, gjegjësisht ndalimi absolut i ekzekutimit të dënimit”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës.

Zharku, kishte jetuar lirshëm në Suedi gjatë këtyre viteve, derisa Suedia kishte njoftuar autoritetet kosovare se nuk mund ta ekzekutoj dënimin në këtë shtet sepse s’ka marrëveshje ndërshtetërore.

Njëjtë sikur Zharku, vite më parë në Kosovë u kthye edhe Leme Xhema, ish-drejtoreshë e PTK-së, sepse asaj i ishte parashkruar dënimi me burgim për keqpërdorim detyre.