Arbëri

Zgjedhjet e Serbisë: BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës, Vuçiqi shpall “situatë të vështirë”

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se përpjekja e BE-së ishte që të gjendet një zgjidhje praktike, duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën. Pas kësaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka anuluar të gjitha tubimet elektorale për ditën e martë, me arsyetimin se “situata në Serbi është e vështirë”

Kosova e ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it rreth votimit të serbëve në territorin e saj për zgjedhjet e Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për media të martën, ka thënë se BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës.

Sipas tij, përpjekja e BE-së ishte për gjetjen e një zgjidhjeje praktike, nëpërmjet analogjive të vendosura në votime në të kaluarën.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjejë zgjidhje praktike të pranueshme, duke përdorur analogji nga praktikat e vendosura evropiane se si organizohet votimi për qytetarët me të drejtë që banojnë jashtë vendit të tyre të origjinës. Ndërsa e pranojmë se Serbia ishte e gatshme në gjetjen e zgjidhjeve, na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën joshumicë.

“Nuk ka marrëveshje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por deri më tani të dyja palët kanë vendosur një praktikë që lejonte votimin me prani fizike në Kosovë. Ky do të kishte qenë opsioni më i zbatueshëm edhe për zgjedhjet e 3 prillit. Prandaj, qëndrimi i BE-së mbetet se praktika e vendosur e OSBE-së për organizimin e një operacioni ‘mbledhjeje votash’ në Kosovë duhet të kishte vazhduar, me disa modifikime specifike për t'iu përshtatur rrethanave aktuale”, ka thënë ai.

Stano ka shtuar se presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet dhe retorikat, që mund të rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike, një ditë më parë, tha se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, shkruhet në komunikatën e Qeverisë, pas këtij takimi.

Ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë.

Pas kësaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka anuluar të gjitha tubimet elektorale për ditën e martë, me arsyetimin se “situata në Serbi është e vështirë”.

“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova", ka thënë ai, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Takimi është mbajtur me udhëheqësit serbë të Kosovës, ku bëjnë pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti – Goran Rakiq, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, që janë anëtarë të Listës Serbe.

Më 3 prill, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale për disa komuna, përfshirë Beogradin.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë, nëpërmjet së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Ndërkohë, një ditë më parë, Mali i Zi e ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Serbisë për hapjen e tri qendrave të votimit për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato ishin mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat, të cilat më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë.

Një praktikë e tillë është krijuar nga viti 2017 dhe autoritetet e Kosovës kishin lejuar një gjë të tillë.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se janë në mbështetje të vendimeve që i respektojnë sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës.

“Befasia e madhe do të ishte sikur Qeveria të mos e ndërronte qëndrimin. Nëse ka diçka që e karakterizon Qeverinë Kurti dhe Albin Kurtin vetë si politikan dhe si kryeministër është fakti që ai gjitha qëndrimet e tij i ka ndryshuar, qoftë pas disa muajve apo disa viteve dhe për këtë nuk habitem nëse ai ndërron qëndrim. Duhet Qeveria që të marrë vendim dhe ne do të jemi në mbështetje të vendimeve që respektojnë sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se tani kryeministri Albin Kurti do të përballet me realitetin politik, ku komunikimi me faktorët ndërkombëtarë është esencial.

“Kjo Qeveri dhe ky kryeministër në vazhdimësi kanë dhënë fjalë të mëdha sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe tani përballen me realitetin politik, ku komunikimi me faktorët ndërkombëtarë është esencial, ku gjuha e përbashkët për interesin nacional është domosdoshmëri politike dhe përderisa ka dhënë fjalë të mëdha për këtë temë, le të trajtojë tani vetë përballjet me këtë temë”, ka thënë Abdixhiku të martën, teksa ka folur për punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se zgjidhja për votimin në zgjedhjet e Serbisë është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke.

“Çështja e së drejtës së votës për komunitetin serb të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë është shumë e rëndësishme, por ne duhet të shmangim trajtimin e çështjeve një nga një. Zgjidhja është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke që do t'i rregullojë këto çështje një herë e përgjithmonë”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, tejzgjatja e arritjes së marrëveshjes do ta përkeqësojë angazhimin për paqen në Ballkan.