Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Zëri i grave” në “Cosmo”

"Cosmo” do të rikthehet në sezonin e ri me një cikël emisionesh që shpalosin profile të personaliteteve të shquara që kanë dhënë kontribut në fushën e të drejtave të njeriut.

“Zëri i grave” është titulluar dokumentari me autor Rexhep Malokun, i cili shpalos profilin e aktivistes Igballe Rogova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Rruga e Kosovës drejt lirisë është e lidhur nyjshëm me sheshin e Prishtinës. Sheshi ishte arenë e ngritjes së kërkesave për liri e demokraci”, nis rrëfimi për aktivisten Rogova, e cila për shumë vjet ka inspiruar dhe ka bërë bashkë shumë njerëz për të kërkuar ndaljen e dhunës dhe represionit kundër shqiptarëve të pafajshëm nën pushtimin serb.

Dokumentari shpalos aktivitetin e ngjeshur të Rogovës, e cila qe larguar nga puna në Radiotelevizionin e Prishtinës si pasojë e represionit serb. Kështu kishte ndodhur edhe me motrën e saj Safeten, aktoren e trupës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. Të dyja bashkë nga ky moment i kishin dhënë një mision vetes duke luftuar për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Të frymëzuara nga dy mësueset pishtare të arsimit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, të cilat kishin hapur shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë më 1891, themeluan shoqatën për zhdukjen e analfabetizmit “Motrat Qiriazi”. Puna e Igballe Rogovës është shpërblyer edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Në dokumentar shpalosen edhe çmimet me të cilat aktivistja e të drejtave të njeriut është shpërblyer duke filluar nga çmimi “Gratë e Vitit” i ndarë nga Rrjeti Ndërkombëtar i Organizatave të Grave deri tek çmimi “Lydia Sklevicky” për punën e saj inovative me grupet e grave. Si avokuese e hershme për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, menjëherë pas miratimit të Rezolutës, Igballja shpesh ka sfiduar qasjen e misioneve të OKB-së dhe iniciativave zhvillimore në rajon. Ajo ka punuar pa pushim për të dokumentuar dhe ndarë këto histori me zyrtarë të lartë dhe aktivistë të të drejtave të grave në vende të tjera, në mënyrë që ata të mund të mësojnë nga gabimet e bëra në Kosovë. Në “Cosmo” shikuesit do të kenë mundësinë të shohin shumë fotografi e dokumente të papublikuara, të cilat dëshmojnë aktivitetin e ngjeshur të një aktivisteje që nuk pushoi asnjëherë në jetë “Zëri i grave”. “Cosmo” çdo muaj do të sjellë edhe profile të tjera me personazhe të tjera që kanë kontribuar në fushën e të drejtave të njeriut, derisa rikthehet në transmetim në terminin e rregullt të premteve nga ora 21:00.