Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zemaj nënshkruan udhëzuesin për trajtimin e COVID-19 me plazmë kovalescente

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se Kosova ka miratuar Udhëzuesin për trajtim me Plazmë Kovalescente të pacientëve me Covid-19 si terapi mbështetëse.

Ai në Facebook ka shkruar se në funksion të trajtimit të personave me Covid 19, përpos masave dhe aplikimit të terapisë adekuate, në bashkëpunim me ekspertët, ka nënshkruar "Udhëzues për trajtim me Plazmë Kovalescente të pacientëve me Covid-19 si terapi mbështëse".

“Grupi punues me përkushtim dhe në konsultim me praktikat më të mira botërore ka përpiluar udhëzuesin i cili në mënyrë adekuate udhëzon profesionistët shëndetësorë për përdorimin plazmës së personave që kanë kaluar sëmundjen e Covid 19, e cila ka krijuar anti trupa të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve. Shpresojmë që Plazma Kovalsecente, si terapi mbështetëse do të ndihmoj të gjithë ata pacientë që kanë nevojë për një trajtim të tillë e i cili do të zbatohet sipas udhëzuesit të nënshkruar sot”, ka shkruar ai.

Zemaj ka bërë të ditur se qendra për Transfuzion do të grumbullojë gjakun e personave që kanë kaluar Covid-19 dhe që kanë krijuar anti trupa të mjaftueshëm.

“Institucionet e kujdesit shëndetësorë, duke përfshirë Klinikën Infektive së bashku me institucionet e kujdesit shëndetësor në të cilat janë të hospitalizuar pacientët me Covid, sipas indikacioneve do të bëjnë zbatimin e trajtimit me Plazmë Kovalescente”, thuhet në njoftim.