Pothuajse të gjithë të vdekurit nga COVID-19 në Kosovë kanë pasur sëmundje të rënda shoqëruese, ka thënë të marten Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Në momentin kur e kam pranuar detyrën jam njoftuar me trajtimin e rasteve që kanë përfunduar me fatalitet dhe që janë në evidencë të IKSHPKS-së . Jam interesuar në detaje për sëmundjet shoqëruese. Kam kërkuar çdo detaj. Janë të gjitha detajet që janë të përfshira në bazë të protokollit. Por, është Ligji për të Dhënat që pamundëson publimin. Por, pothuajse çdo person që ka rezultuar me fatalitet ka pasur sëmundje të rënda shoqëruese. Edhe ata që nuk kanë arritur të shkojnë deri në Infektive, por janë testuar më vonë”, ka thënë ai.
Zemaj, gjatë një konference shtypi të marten, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, po ashtu e ka përshëndetur shkarkimin e Basri Sejdiut.
“Është veprim per t’u përshëndetur”, ka thënë ai.
Zemaj ka folur edhe rreth hetimeve të policisë për 6 vdekjet në Infektive, të dielen. Ka thënë se pandemia “nuk duhet të na humbë njerëzoren”.
“Jemi sot për t’ju kushtuar vëmendje disa çështjeve dhe rritjes së fuqisë tonë. Ditëve të kaluara kemi pasur disa raste të vdekjeve që kanë ngritur dyshime. Pandemia nuk duhet të na humbë njerëzoren”, ka thënë ai.
Zemaj ka follur edhe për shtimin e kapaciteteve në Shëndetësi.
"Shtimi i kapaciteteve në shëndetësi është prioritet për tu përballur me pandeminë dhe do të mobilizojmë maksimalisht resurset ekzistuese, por edhe t’i shtojmë ato varësisht nevojave të institucioneve shëndetësore. Tashmë kemi vendosur të angazhojmë mbi 200 profesionist shëndetësorë në të gjithë Kosovën për tu përballur me këtë situatë. Në mesin e tyre ka mjekë specialistë, mjekë të përgjithshëm, infermierë, laborant, inspektor sanitar dhe staf mbështetës. Prioritet u kemi dhënë profileve që lidhen me menaxhimin e drejtpërdrejt të pandemisë Covid-19. Ata do të jenë në dispozicion të qytetarëve jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Qendra e tjera varësisht prej kërkesave dhe specifikave që i kanë institucionet shëndetësore. Përveç kësaj do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e specializantëve, të cilët për vite të tëra nuk janë angazhuar në profesionin që janë përgatitur. Sot kam themeluar Bordin e ri për Shkollim Specialistik me qëllim të adresimit të kësaj çështjeje dhe mjekëve që presin për specializim t'u bëjmë zgjidhje. Nuk mund t’i lëmë mjekët, infermierët e profesionistët tanë shëndetësorë të ikin nga Kosova vetëm se shteti nuk i trajton seriozisht kërkesat e tyre.
Ne kemi obligim të bëjmë zgjidhje dhe unë e kam marrë përsipër këtë barrë. Duke forcuar shëndetësinë mbrojmë jetët e qytetarëve jo vetëm nga ky virus por edhe nga sëmundjet tjera edhe plotësojmë kërkesat e qytetarëve për trajtim të barabartë", ka thënë Zemaj.