Latif Zeka, Shef i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, ka folur për intervenimet gjatë këtij viti.
Në një bisedë për emisionin 038 të KTV-së, Zeka ka thënë se gjatë muajit janar, zjarrfikësit e Prishtinës kanë pasur 121 dalje profesionale.
“Në shkurt kemi pasur rritje, gjithsejtë 188 intervenime, kryesisht për shkurre, male, livadhe, ndërsa në muajin mars, vetëm për 10 ditët e para, i kemi pasur 148 intervenime. Nga to, 16 kanë qenë në objekte, 126 intervenime fushoro-malore, dhe disa të tjera. Në katër vende kemi intervenuar në heqjen e fasadave për të evituar lëndimet e qytetarëve. Kemi pasur një rast që fasada ka rënë në tokë dhe ka lënduar një qytetar”, ka deklaruar Zeka, raporton Koha.net.
Tutje, ai foli edhe për buxhetin e zjarrfikësve, duke treguar se ende s’janë pajisur me rrobat e reja për këtë sezon, por tha se kjo pritet të ndodhë shpejt. Ndërsa tha se qumështin e kanë marrë dhe për këtë ka falënderuar Komunën e Prishtinës.
Zeka po shpreson që më në fund do të zgjidhet çështja se a i përket shërbimi i zjarrfikësve të Prishtinës Komunës, e cila ua siguron pagat, apo MPB-së që, siç tha ai, “gjoja jemi punëtorë të tyre”.
Latif Zeka, Shef i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, foli edhe për kërkesat që i kanë në lidhje me statusin e tyre.
“Më e mira do të ishte zgjidhja e statusit të zjarrfikësve dhe koeficienti i propozuar të rregullohet. Të paguhen edhe orët e natës, të festave, orët shtesë, orët e angazhimeve jashtë orarit. Problemi më i madh është se kemi pak zjarrfikës, në tërë Kosovën”, deklaroi Zeka.
Në lidhje me veturat e zjarrfikësve, ai tha se Prishtina ka marrë 4 vetura të reja viteve të fundit.
Ndërkaq, ai tregoi se janë dy makina të zjarrfikësve që janë pa dokumentacion.
“Janë vetura të vjetra dhe nuk e dimë se ku ka mbetur dokumentacioni i tyre. Janë të regjistruara me targa KS, jo me RKS sikurse tjerat”, tha ai.
Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë u ankua edhe për-hapjen e konkursit për zjarrfikës të rinj, e cila tha se po ndodhë si pasojë e mosmarrëveshjeve mes Komunës së Prishtinës dhe MPB-së.
“Ka 15 vjet që nuk kemi zjarrfikës të rinj. Kemi vende të lira, por si pasojë e mosmarrëveshjeve mes MPB-së dhe Komunës se kush të shpallë konkursin, kemi mbetur pa zjarrfikës”, u shpreh Latif Zeka.