Arbëri

Zeka thotë se opsioni i ndarjes është në tavolinën e dialogut

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi, sot në Kuvendin e Kosovës, tha se dialogun e vendosë Washingtoni dhe Brukseli.

Ai tha se duhet ulur partitë politike në Kosovë, pa shikuar pozitë a opozitë, dhe të ndërtojnë një platformë politike. Sipas tij, për të njëjtën pastaj duhet kërkuar të mos shkelet sepse siç tha ai do të konsiderohej tradhti kombëtare, transmeton kp.

“Ju nuk po e kuptoni që dialogun e vendosën Washingtoni dhe Brukseli fillimisht. Ju nuk po e kuptoni që Serbia ta dërgon presidentin, edhe ju do ta dërgoni presidentin. Serbia ta dërgon kryeministrin, edhe ju do ta dërgoni kryeministrin. Çka duhet të bëjmë në këtë hallakamë? Ne duhet të ulemi partitë politike, jo pozitë e opozitë, nuk ka pozitë e opozitë për dialog, të bashkohemi e ta ndërtojmë platformën politike, t’i vëmë kornizat e një platforme të dialogut, dhe t’i themi jo Hashim Thaçit presidentit, por delegacionit që kjo platformë nuk guxon të shkelet, nuk guxon të rrëzohet sepse do të jetë tradhti kombëtare”, tha Zeka.

Tutje, Zeka foli edhe temën e shkëmbimit të territoreve. Ai tha se është, dhe se çdo herë ka qenë në tavolinë opsioni i ndarjes.

“Unë po iu them se do të jetë në tavolinë edhe ndarja, dhe ka qenë ndarja, edhe është ndarja, që Vjosës po ia përmend emrin që të ma vërtetojë se e di shumë mirë, edhe ne që jemi disa spiunë ndërkombëtar që takohemi herë në Bruksel herë atje. Na thonë neve që po, ky opsioni i ndarjes është në tavolinë pa asnjë diskutim. Edhe ai i shkëmbimit të territoreve. Mos mendoni ju se Lutfi Haziri nuk është budalla, nuk ka folur krye në veti, nuk ka folur në emër të LDK-së, sepse nuk guxon, as unë nuk guxoj këto llafe në emër të Nismës, por po flas si deputet i parlamentit të Kosovës. Pasha tokë e pasha qiell, mos me ia pas thënë ndonjë ndërkombëtar i madh Lutfi Hazirit këtë çështje, ndarja dhe shkëmbimi i territoreve, ai as në ëndërr nuk do të kishte guxuar ta përmend”, tha ai.

Sipas Zekës, amerikanët e thonë shumë qartë që në dialog nuk ka vija të kuqe.