Arbëri

Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit – i kënaqshëm, por ka edhe kritika për Qeverinë

Se sa është përmbushur Plani i Veprimit për Zbatimin e Strategjisë për Sundimin e ligjit, ka dalë me një raport të mërkurën Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në tryezën ku mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pushteti u akuzua për ndërhyrje në gjyqësor, e Haxhiu akuzoi opozitën për zvarritje të ligjeve që mundësojnë reformën në drejtësi

Strategjia për Sundimin e Ligjit është zbatuar komplet në masën 43 për qind. Kjo dhe 45 për qind e zbatimit të pjesshëm kanë bërë që vlerësimi i përgjithshëm të jetë i kënaqshëm, thuhet në Raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u prezantua të mërkurën.

Mirëpo Gëzim Shala, hulumtues në IKD dhe njëri nga autorët e raportit, pati edhe vërejtje, sidomos për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë.

“Kanë dalë me deklarata të ndryshme duke komentuar veprimet e sistemit të drejtësisë, veprimet konkrete të këtij sistemi që realisht nuk kanë vend në një sistem ku sundon ligji. Deklarimet e tilla për raste individuale që nuk kanë të bëjnë me reforma që hyjnë në kuadër të kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë, të Kuvendit, etj., qartazi paraqesin ndërhyrje në kompetencat e pushtetit tjetër, e që definitivisht këto nuk duhet të ndodhin”, ka thënë Shala.

Në gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë dhe planin e veprimit për sundimin e ligjit. Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ankua në opozitën pasi, sipas saj, po e zvarrit reformën në drejtësi.

“Po ashtu, siç jeni në dijeni, Qeveria në vazhdimësi është ballafaquar me kontestim të ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Unë e kuptoj që është e drejtë e opozitës që të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se këto ligje validohen nga autoriteti më i respektueshëm në këtë aspekt, në kontinentin tonë siç është Komisioni i Venedikut”, ka thënë Haxhiu.

Raporti i IKD-së është përkrahur nga “National Endowmend for Democracy”.