Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ymeri: Deklarata e Lajçakut, dush i ftohtë për Kosovën

Drejtori i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se deklaratat si e sotmja e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, janë dush i ftohtë për Qeverinë e Kosovës.

Lajçaku u takua me Kurtin të premten, nën shoqërimin e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarët e krerëve të Francës, Emmanuel Bonne, atë të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë. Pas takimit, i dërguari i BE-së është shprehur se ka pritur më shumë mirëkuptim nga Kurti për mundësitë që ofron Plani evropian.

Ymeri në “60 Minuta” të KTV-së ka konsideruar se çështja e Asociacionit mund të ketë qenë arsyeja e këtij deklarimit të Lajçakut.

“Ky takim është pritur të prodhojë diçka më shumë. Po shpresojmë të marrim më shumë informata në ditët në vazhdim. Po duket që mungesa e mirëkuptimit mes palëve është Asociacioni që ofrohet sipas planit evropian. Duket që edhe sot mospajtimi ka qenë këtu. Sa mendojmë që dialogu po merr një dinamikë të re, deklaratat e Lajçakut, si këto sot, janë një dush i ftohtë për Kosovën”, ka thënë ai.

Ymeri tutje ka thënë se rihapja e marrëveshjes për Asociacionin mund ta ndryshojë formatin e tij.

“Për Asociacionin, shpeshherë Kurti e ka refuzuar krejtësisht, ndonjëherë ka dhënë ndonjë sinjal që ai të përfshihet në diskutimin e Planit Evropian. Rihapja e marrëveshjes për Asociacionin, që për neve është obligim ligjor për shkak të ratifikimit në Kuvend, mund ta ndryshojë formatin në kuptimin e gjerësisë territoriale, por edhe në thellimin e kompetencave ekzekutive si një autonomi në veri”, ka shtuar ai.

Ymeri ka thënë se procesi i dialogut po mbahet i fshehtë nga ana e Qeverisë, ndoshta, siç thotë ai, për ndonjë taktizim politik.

“I tërë procesi i dialogut është duke u mbajtur i fshehtë. Është ndonjë taktizim i Qeverisë. Këtu jam dakord, por kur Qeveria e quan planin evropian bazë të mirë për të filluar diskutimet, duhet të na tregojë se çka përmban aty, pse po bëhemi pengesë për zhvillimin e tij, nëse Kosova është pengesë, duke u bazuar në deklaratat e nënsekretarit të Shtetit, Derek Chollet, i cili tha se Kosova po merr vendime që po e pengojnë procesin e dialogut. Nuk është në interes të Kosovës të zvarritet dialogut. Në këtë drejtim është vështirë ta kuptojmë Kurtin se si sillet karshi dialogut”, ka theksuar Ymeri.

Drejtori i “Musine Kokalarit” e ka vlerësuar si disavantazh të Kosovës interpretimin e marrëveshjes për targat, pasi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte thënë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen. Por BE-ja pati kritika.

“BE-ja pati kritika për reagimin për targat. Kosova është në disavantazh karshi interpretimit të marrëveshjes për targat. Interpretimi që e bën ndërmjetësuesi është mbizotëruesi. Është gabim i jashtëzakonshëm që futemi në një cikël të mosmarrëveshjeve të shumta, për çështje të rëndësishme, por jo aq të rëndësishme sa është procesi i dialogut”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka porositur Qeverinë që planin e dialogut ta bashkërendojë me SHBA-në dhe BE-në.

Artikuj të ngjashëm