Gazetari nga Shkupi, Seladin Xhezairi, deklaroi se Maqedonia nuk mund t’u ikë ndryshimeve kushtetuese dhe futjes së elementit bullgar në të. Ai tha në emisionin “60 Minuta” në KTV, të mërkurën, se në ditën e katërt të protestave, pati dhunë, me ç’rast 47 policë u lënduan, dy prej tyre më rëndë. Sipas Xhezairit, tejkalimi i krizës së shkaktuar nga vetoja bullgare, mund të arrihet me ndryshime kushtetuese.
“Mollë sherri në këtë janë partitë opozitare. Nga kjo bëhet sikur opozita pretendon asimilimin e popullit maqedonas. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga institucionet e shtetit. Në vijën Shkup-Sofje, nuk është se ka kontakte intensive, sepse në Bullgari nuk dihet nëse do të krijohet qeveria, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Xhezairi.
Sipas gazetarit nga Shkupi, ndërrimet kushtetuese kërkojnë votën e 80 deputetëve, derisa qeveria aktuale i ka vetëm 64 deputetë.
“Ky është parakushti i vendosur nga Sofja, për ndryshim të Kushtetutës. Ndërrimet parashihet të bëhen në një periudhë dyvjeçare. Dhuna e manifestuar mbrëmë (të martën v.j.) para Parlamentit e Ministrisë së Brendshme, janë dënuar edhe nga presidenti, qeveria dhe nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi”, tha tutje Xhezairi, derisa shtoi se është raportuar që të paktën 70 mijë persona nga Maqedonia e Veriut, janë pajisur me pasaporta bullgare.
“Natyrisht mes kësaj shifre nuk mund të përjashtohet që ka edhe komunitete të tjera, që kanë insistuar të pajisen”, shtoi ai, ndërkohë tha që Maqedonia aktualisht gjendet para një dileme, që duhet të zgjedhë.
Opozita maqedonase ka dalë kundër propozimit francez nëpërmjet të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit e Sofjes në çështjet e gjuhës dhe të kaluarës historike. Me këtë, synohet zhbllokimi i procesit integrues.
Tash e dy vjet, Bullgaria nëpërmjet vetos e ka bllokuar fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Me këtë, është vendosur pengesë edhe për Shqipërinë drejt integrimit evropian.