Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Wisneri druhet se njohja e pavarësisë nga Serbia nuk do të vijë

Ish-përfaqësues special i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Frank Wisner, thotë se ajo për të cilën është punuar, një Kosovë e pavarur e njohur edhe nga Serbia, ka drojë se nuk do të realizohet, ose të paktën jo tash e as në të ardhmen e afërt.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të mërkurën, tha se opinioni publik në Serbi, nuk e lejon këtë. Derisa të ndodhë kjo, ai thotë se ka për shumëçka të bisedohet. Shton se duhet ndjekur parimi: “Jeto vetë dhe lejo të tjerët të jetojnë”.

“Do të doja që të realizohej njohja e plotë ndërmjet dy shteteve. Kjo është pikërisht ajo për të cilën kemi punuar të gjithë që nga dita kur Kosova e shpalli pavarësinë, por nuk jam i sigurt se do ta arrijmë këtë, për shkak të opinionit publik në Serbi. Ky qëllim na është shmangur. Prandaj edhe sugjerova dhe besoj kjo është mënyra në të cilën negociatorët janë duke u përpjekur për ta zgjidhur dhe kjo është që në vend të së pamundurës, të arrihet ajo që është praktike. Këto nuk janë çështje të vogla, pra të gjenden mënyra në të cilat do të jetojnë dy shtetet bri njëri-tjetrit dhe që një ditë, me shpresë, do të arrijnë te çështja e njohjes”, u shpreh Wisner.