“Armiqësia dhe tensionet nuk janë në interesin e askujt. Pra, përfitimi për Serbinë është përafrimi më i madh me Perëndimin. Përfitimi për Serbinë është fundi i uljes së tensioneve me Kosovën. Po ashtu edhe për Kosovën. Kështu që unë mendoj se Serbia përfiton dyfishin, sepse Kosova tashmë është në një linjë me Perëndimin”, ka thënë Clark
Prishtinë, 13 shkurt – Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se një njohje e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë është rruga drejt përparimit dhe integrimit për të dyja vendet. Sipas tij, administrata e re amerikane, e udhëhequr nga presidenti Joe Biden, do të shtojë vëmendjen ndaj Evropës Juglindore dhe Ballkanit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Clark ka thënë se Serbia do t’i afrohet Perëndimit nëse e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
“Mendoj se e ardhmja e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse do të ketë njohje reciproke varet nga udhëheqja në Serbi. Mendoj dhe shpresoj që udhëheqja në Serbi ta kuptojë rëndësinë e një përafrimi më të madh me Perëndimin, dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo do të thoshte lënia pas e së shkuarës dhe vështrimi nga e ardhmja. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm nga Serbia, ata janë shumë të lidhur me vlerat perëndimore dhe shpresoj që udhëheqja serbe të mund të shohë se është në interesin e saj dhe të ndiejë dëshirën për një lidhje më të fortë me Perëndimin, dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës”, ka thënë ai duke komentuar letrën e Bidenit për presidentin serb Aleksandar Vuçiq ditë më parë.
Clark ka thënë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojë koordinim më të ngushtë me Bashkimin Evropian.
Marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, nën administratën e Donald Trumpit, Clark e ka cilësuar si pozitive dhe të dobishme në aspektin ekonomik. Ai ka lavdëruar administratën Trump edhe për Marrëveshjen për njohjen Kosovë – Izrael, teksa ka shtuar se pret angazhim më të madh të SHBA-së tash për bashkëpunim me Evropën.
Ai ka refuzuar të pranojë se Serbia duhet të marrë diçka në këmbim të njohjes së Kosovës. Sipas tij, njohja e ndërsjellë është në interes të të dyja vendeve. Përafrimi me Serbinë dhe fundi i uljes së tensioneve, sipas Clarkut, paraqet përfitim të dyfishtë për Serbinë në krahasim me Kosovën.
Edhe
Clark: Serbia do të duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm
“Mendoj se një njohje e ndërsjellë është në interes të të dyja vendeve nga ana kulturore, historike, ekonomike, të dyja do të përfitonin nga një gjë të tillë. Kështu që unë nuk mendoj se është çështje ku mund të thuhet ‘Unë të jap këtë, atëherë çfarë do të më japësh në këmbim?’ Mendoj se është përfitim i ndërsjellë për të dyja vendet. Armiqësia dhe tensionet nuk janë në interesin e askujt. Pra, përfitimi për Serbinë është përafrimi më i madh me Perëndimin. Përfitimi për Serbinë është fundi i uljes së tensioneve me Kosovën. Po ashtu edhe për Kosovën. Kështu që unë mendoj se Serbia përfiton dyfishin, sepse Kosova tashmë është në një linjë me Perëndimin. Kështu që unë shpresoj që udhëheqja në Serbi ta shohë këtë ashtu siç është: Një hapje e shkëlqyer nga Shtetet e Bashkuara ndaj Serbisë dhe unë e inkurajoj popullin e Serbisë që të shkojë përpara dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi”, ka deklaruar ai në këtë intervistë.
Duke u nisur nga historia që Ballkanin e ka përcjellë me përplasje e konflikte të shpeshta, Clarku ka thënë se duke ditur se “aty kanë filluar konfliktet, aty mund të jetë efekti më i madh i diplomacisë amerikane”.
Clark ka thënë se përmes ambasadorëve të vet në rajon, SHBA-ja do të negociojë mes ambicieve dhe interesave të ndryshme të vendeve.
“Është bërë shumë përparim në këta 20 vjet, por mbetet shumë për të bërë. Unë e di që kjo administratë do ta konsiderojë Evropën Juglindore dhe Ballkanin me shumë përparësi”, ka shtuar ai.
Clarku ka thënë se prioritet i SHBA-së mbetet që përmes çdo ambasadori në çdo vend të nxitë luftën kundër korrupsionit, “sepse ne e kemi të qartë se korrupsioni është gjithmonë destabilizues për demokracitë, minon vullnetin e njerëzve dhe shkatërron besimin e njerëzve tek qeveria, tek vota e tyre e kështu me radhë, dhe si i tillë duhet të trajtohet”.
Ka shtuar se administrata Biden do të vërë më shumë theksin tek vlerat politike, njerëzore dhe kulturore.
Më 7 korrik ishte publikuar një letër që presidenti i ri amerikan ia kishte dërguar presidentit serb për nder të Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Në këtë letër ai i kishte kërkuar përmirësimin e raporteve dhe njohjen e Kosovës. Për letrën e tij, Vuçiqi kishte thënë se “sa i përket njohjes reciproke, kjo s’thuhet në asnjë akt të organizatave ndërkombëtare”.
Edhe
Vuçiqi thotë se përkrahja për SHBA-në në Serbi është rritur gjatë mandatit të Trumpit
“Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhje përfundimtare dhe unë i kam thënë në fytyrë se çka mendoj për njohje reciproke”, kishte thënë ai.
Folergjenda: “Shpresoj që udhëheqja serbe të mund të shohë se është në interesin e saj dhe të ndiejë dëshirën për një lidhje më të fortë me Perëndimin, dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës”, ka thënë Clark duke komentuar letrën e presidentit Biden për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ditë më parë