Abuzuese të buxhetit të Kosovës, e ka quajtur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Listën Serbe, teksa ka komentuar deklarimin e kësaj të fundit se do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë, nëse nuk hiqet taksa prej 10 për qind për produktet serbe.
Ai madje ka sfiduar këtë parti që të veprojë nëse e ka njëmend me qëndrimin e saj, raporton KTV.
Këtë qëndrim të partisë më të madhe serbe në Kosovë, është e gatshme ta shfrytëzojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme.
E pyetur për këtë, nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka mohuar mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe, por ka shtuar se edhe votat e saj do t’i kontribuonin rënies së Qeverisë.
Megjithëse mbështet rrëzimin e Qeverisë, deputetja Arbërie Nagavci, tha se ky nuk është kërcënimi i parë i LS-së, por sipas saj, kryeministri Haradinaj nuk duhet të tërhiqet nga vendimi për taksën.
Këto komente, përfaqësues të Vetëvendosjes i kanë bërë në një konferencë, ku është folur për Pakon Ligjore për Administratën.
Sipas tyre, pakoja e sjellë në Kuvend pos që thellon pabarazinë dhe privilegjon pushtetarët e deputetët, shkel edhe ligjet dhe Kushtetutën.