Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e ka konsideruar akt tradhtie ndryshimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin Dejan Pantiq.
Pantiqit, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak të mërkurën nga një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë me propozim të Prokurorisë Speicale.
“Ky aktlirim është akttradhëti”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Habi për këtë vendim pati edhe kryeministri Albin Kurti. Ka theksuar se është kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e ka bërë kërkesën për lirim dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim.
Deputeti i LVV-së: A është normal gjyqtari që e liroi Pantiqin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit më atë të arrestit shtëpiak, ish-policit serb Dejan Pantiq.
“Dejan Pantiqi akuzohet për vepër terroriste, kurse gjyqtari Mentor Bajraktari ia zëvendëson masën e paraburgimit me arrest shtëpiak. A m’tregon kush se si një gjyqtar normal arrinë me vlerësu se terroristi qenka më sigurt n’shpi se n’burg? Po me pas qenë n’Serbi i kish shqiptu masë ma t’randë se ky n’Kosovë. Nuk ka vetting që ta hjek tutën, po as që ta shton dozën e patriotizmit! Pa fjalë!!!”, ka shkruar Basha në Facebook.
Pantiq ishte arrestuar nën dyshimin për sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri.