Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV: Etiketimi i gjyqtares nga Rama, tendencë për ta mbuluar dështimin e vet

Etiketimi i gjyqtares Vlora Pacolli është tendencë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për ta mbuluar dështimi e vet evident, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje të premten mbrëma, pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e punës për ndërtimin e “Rrugës A”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi sot se Komercialja vendosi të pezullojë punët për ndërtimin e “Rrugës A”, vendim të cilin e konsideroi politik e për të cilin pretendon se është marrë nga gjykatësja Vlora Pacolli, që sipas Ramës, është motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli. Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi Vetëvendosjen për ndikim në vendimin e Komerciales.

Por VV-ja ka thënë se vendimi i sotëm i Komerciales është pasojë e "qasjes anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës".

“Janë të freskëta reagimet e shumta që janë bërë nga organizata joqeveritare që përcjellin aktivitetet e prokurimit në Komunën e Prishtinës dhe mediat e vendit kur është shpallur fituesi i këtij projekti. Edhe ne si LVV, përmes asamblistëve tanë në Kuvendin Komunal, kemi shprehur dyshimet tona në lidhje me procedurat dhe kemi bërë thirrje për transarencë e zbatim të normave ligjore. Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme”, thuhet në reagimin e VV-së, dega në Prishtinë, në Facebook.

VV-ja ka thënë se shpresojnë për trajtim të shpejtë dhe të drejtë nga Komerciale në mënyrë që “Rruga A” të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

Edhe Komercialja i reagon Ramës: Gjyqtarët duhet të lihen të punojnë të pavarur Arbëri Komercialja i reagon Ramës: Gjyqtarët duhet të lihen të punojnë të pavarur

“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident. Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që rruga A, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore”, vijon reagimi i VV-së.